Rama nuk ndal sulmet: BE i dha Ukrainës ilaç kundër depresionit dhe për hormonet

Rama nuk ndal sulmet: BE i dha Ukrainës ilaç kundër depresionit dhe për hormonet

16:19, 25/06/2022

Kryeministri Edi Rama nuk ndal sulmet dhe ironitë ndaj Bashkimit Europian. 

Gjatë fjalës së tij në Forumin Europian ëachau në Austri Rama tha se ishte i lumtur që Ukraina kishte marrë statusin e vendit kandidat në BE, por tha se Kievi nuk duhet të krijojë shumë iluzione nga ky vendim i Brukselit. 

Rama theksoi se Shqipëria ka 8 vite që është vend kandidat dhe shpreson që për Ukrainën të mos jenë 117 vite. 

Statusin e vendit kandidat që BE i dha Ukrainës, me ironi Rama e quajti ilaç kundër depresionit dhe që ka efekt të mirë për moralin dhe për hormonet.

“Jemi shumë të lumtur që Ukraina mori statusin e vendit kandidat, por shpresoj që ukrainasit të mos kenë shumë iluzone për atë që morën. Morën një ilaç kundër depresionit që është mirë për moralin dhe për hormonet për një farë kohe. I duhet të përballet me realitetin me të cilin përballet Maqedonia e Veriut. Shpresoj që ukrainasit të marrin në konsideratë dhe të shohin Maqedoninë e Veriut, 17 vjet vend kandidat. Ata ndryshuan edhe emrin.  Shqipëria numëron 8 vjet, nuk është mjaftueshëm. Shpresoj që për Ukrainën të mos jetë 117 vjet”, theksoi Rama.

Ndër të tjera, Rama u ndal sërish te vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, çka pengoi edhe Shqipërinë në mos hapjen e negociatave, por nuk ishte e vetmja, pasi Brukseli ka rezervat e veta sa i takon kursit reformator.

Sipas Ramës, ajo që ndodhi me Bullgarinë ishte simboli sesi zgjerimi është transformuar në një mjet për të marrë peng shtete të tjera, për hir të problemeve të brendshme.

Kryeministri fajëson Bullgarinë dhe Brukselin për ngecjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, por nuk përmend për asnjë moment keqqeverisjen, krimin, korrupsionin dhe varfërinë që po vuan Shqipëria prej vitesh. 

Për Ramën, BE po 'i bie' në qafë Shqipërinë duke e lënë pas derës për të katërtin vit radhazi, që prej se Shqipëria pret datën për nisjen e bisedimeve.

Por në fakt, realiteti pasqyron të kundërtën dhe referuar edhe raporteve ndërkombëtare që flasin për krimin e organizuar në shkallë ekstreme dhe korrupsionin gjithashtu në të njëjtin nivel ekstrem, atëherë nuk i ngelet shumë faj Bashkimit Europian se pse heziton zgjerimin drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco