Udhëtimi ogurzi i ish-kancelarit gjerman Schroeder te Putini

Udhëtimi ogurzi i ish-kancelarit gjerman Schroeder te Putini

19:28, 15/03/2022

BILD

Për ditë të tëra, lobisti për gazin rus, Gerhard Schroeder, që ka qenë dikur kancelar i Gjermanisë, ishte në qendër të vëmendjes. Si një ndërmjetës i madh, ai donte të shkonte në Moskë. Pa urdhër apo konsultim me qeverinë aktuale gjermane.

Sipas informacioneve të BILD, ai bisedoi të enjten e kaluar me diktatorin rus, Vladimir Putin, ndërsa të nesërmen pati një takim më të detajuar me këshilltarin e Putinit, Vladimir Medinski. Thuhet gjithashtu se Schroeder takoi edhe oligarkun e korruptuar, Roman Abramoviç.

Në Gjermani, njerëzit ishin në mëdyshje: A do mundet ish-kancelari që të marrë përsipër një rol serioz, a mund të arrijë ai vërtet ndonjë gjë? Apo ‘Gerdi i Gazpromit’ vetëm do marrë çeqet e tij direkt në Moskë pasi lidhja bankare është ndërprerë nga sanksionet?

Asgjë më shumë veçse një shfaqje e madhe egoje! BILD mësoi nga burimet pranë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se udhëtimi i ish-kancelarit vlerësohet si ‘një takim PR-i i Schroeder me shpenzimet tona’.

Dhe ambasadori i Ukrainës, Andriy Melnyk tha për BILD: “Përmes ndërmjetësve, pala ukrainase u informua nga dorë e parë për rezultatin e udhëtimit të zotit Schroeder në Moskë dhe bisedimet e tij me zotin Putin. Edhe nëse shpresa për këtë iniciativë personale nga zoti Schroeder ishte e vogël që në fillim, zhgënjimi është ende i madh pasi ai në të vërtetë nuk kishte asgjë konkrete apo të dobishme për të raportuar. Fatkeqësisht kjo përpjekje doli të ishte krejtësisht e pafrytshme dhe ndoshta edhe e kotë për të ndaluar luftën barbare dhe asgjësuese të Rusisë së Putinit kundër popullsisë civile ukrainase. Kjo është për të ardhur keq”.

Diplomati vazhdon: “Ukraina ka nevojë urgjente për ndërmjetës të ndershëm që mund të na ndihmojnë për t’i dhënë fund gjakderdhjes më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, një gjakderdhje që Putini dhe ndjekësit e tij besnikë po e bëjnë ditë e natë, ndërsa vuajtjet e njerëzve janë të pamasa”.

Sipas informacioneve të BILD, ukrainasit kishin mohuar më herët se kanë iniciuar takimin mes Schroeder dhe Putinit.

Për më tepër, sipas informacioneve të BILD, udhëtimi ogurzi i Schroeder në Moskë kishte për qëllim kryesor që të shmangeshin dëmet ndaj Kremlinit dhe oligarkëve duke bërë lëshime të vogla. Paqja dhe mirëqenia në Ukrainë ishin dytësore.

Kur Schroeder u takua me Putinin dhe Roman Abramoviç në Moskë, Kremlini e dinte që BE do të vendoste sanksione të mëtejshme ndaj oligarkëve dhe sektorit të lëndëve të para në Rusi. Në të dy rastet, i kërcënuari ishte Abramoviç, që është aksionari kryesor në gjigantin e minierave dhe çelikut EVRAZ. Nga e hëna, oligarku dhe grupi i tij janë prekur direkt nga sanksionet.

Sipas informacioneve të një shërbimi sekret të BE-së, pak para udhëtimit të Schroeder, lobistët kryesorë të gazit dhe naftës- si dhe tregtarët e lëndëve të para, së bashku me Moskën, intensifikuan punën e tyre lobuese kundër zgjerimit të sanksioneve të BE në sektorin e çelikut, minierave dhe tregtisë së mallrave të luksit.

Arsyeja: Rusia aktualisht mbulon gjysmën e shpenzimeve të saj qeveritare nga të ardhurat që vijnë nga taksimi i lëndëve të para- kryesisht nga shitja e gazit.

Schroeder ka fituar vetëm një garë gjatë ditëve të fundit: ai mundi qytetin e tij të lindjes, Hanoverin. Qyteti donte t’i hiqte atij titullin e ‘Qytetarit të nderit’. Ish-kancelari e ktheu mbrapsht i ofenduar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco