Xhevdet Ferri ... e ka dashtë shumë Kosovën...

Xhevdet Ferri ... e ka dashtë shumë Kosovën...

09:53, 18/01/2020

Enver S. Morina

Me aktorin Xhevdet Ferri kanë bashkëpunuar regjizorë të njohur, si Dhimitër Anagnosti, Rikard Ljarja, Saimir Kumbaro, Vladimir Prifti, Piro Milkani, Gëzim Erebara, Kristaq Dhamo, Esat Musliu, Spartak Pecani, Fatmir Koçi, Artan Minarolli, Gjergj Xhuvani, por edhe Liri Begeja, regjizori italian Francesko Munzi. 

Nga ora 16 e 30 deri në 18 të pasditës së enjte në kanalin kabllovik “T” shfaqej filmi “Dhe vjen një ditë”. I fundit për ditën e enjte. Në një nga rolet kryesore interpreton Xhevdet Ferri. Një nga filmat që e rishikoj me pasion. Mesazhi që sjell filmi është i dukurive që ndodhin edhe sot. Pikërisht në atë kohë vjen kumti rëndueshëm: ka vdekur aktori Xhevdet Ferri. Vetëm pak ditë pas ikjes në amshim të regjizorit e aktorit Fehmi (H)Oshafi, është fikur në moshë të re aktori Xhevdet Ferri. 

Filmat e prodhuar në fundvitet e 70-ta dhe përgjatë viteve 80-ta i shihnim premierë në Televizonin Shqiptar. Tërë javën e “ruanim” dhe përgatitëshim që në mesditën e së dielës, të mbyllnim me perde odën ku kishim televizor. 

Një vit pasi u pranova pilot i aviacionit ushtarak, sa shumë më lindte përshtypje piloti Astriti (Xhevdet Ferri) në filmin kolor “Gjurmë në kaltërsi” (1981), në rolin kryesor përkrah Reshat Arbanës. Për xhirimin e atij filmi janë shrytëzuar edhe avion të ushtrisë shqiptare. 
Pastaj, që nga filmat “Vëllezër e shokë” (1980) dhe “Skëterra 43” (1980) në role dytësore erdhen interpretimet në role kryesore përkrah Kadri Roshit në “Era e ngrohë e thellësive” (1982), te filmi bardhë e zi “Fushë e blertë, fushë e kuqe” (1984). 

Filmi “Hijet që mbetën pas” (1985) që theu shikueshmërinë e kinemasë së kohës, bashkë me filmin “Dhe vjen një ditë” (1986) me tema të trajtuara që mbetën edhe sot nga më të shikuarit e kinemasë shqiptare. Duke ndërlidhur kohërat, por edhe vlerat e një krijimtarie kinematografike filmi “Përrallë nga e kaluara” (1987) ekranizim i veprës së Çajupit “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, mbetët antologji e interpretimit. Dhe nuk është e rastësishme që nga 5, 6 filma të restauruar dhe “konzervuar” bënë pjesë edhe ky film, premierën e së cilit e pamë në “Millenium”. Spikat këtu në rolin e Trimit. Në pesë filmat shkëlqimtar të periudhës 1985-1989 pas “Treni niset në 7 pa pesë” (1988) vjen filmi “Vitet e pritjes” (1989) në interpretim së bashku me bashkëshortën Rozeta Ferri. Me Të kanë bashkëpunuar regjizorë të njohur, si Dhimitër Anagnosti (“Vëllezër e shokë”, “Përrallë e kaluar” dhe “Gjoleka, djali Abazit”), Rikard Ljarja (“Skëterrë 43”), Saimir Kumbaro (“Gjurmë në kaltërsi”), Vladimir Prifti (“Era e ngrohtë e thellësive”, “Dhe vjen një ditë” dhe “Dasma e Sakos), Piro Milkani (“Besa e kuqe”), Gëzim Erebara (“Fushë e blertë, fushë e kuqe”), Kristaq Dhamo (“Vendimi”), Esat Musliu (“Hijet që mbesin pas” dhe “Vitet e pritjes”), Spartak Pecani (“Treni niset në 7 pa pesë”), Fatmir Koçi (“Koha e Kometës”), Artan Minarolli (“Gjallë”), Gjergj Xhuvani (“Në kërkim të kujt”), por edhe Liri Begeja (“Loin des barbares”), regjizori italian Francesko Munzi (“Saimir”). 

Afrimi me kinemanë shqiptare dhe Festivalet e filmit bënë që erdhën edhe tek takimet e shkurtëra, tek personazhet në të cilat shihnim për të mbetur aktor i karaktereve të pavdekshme:

Takimi i parë në Festivalin e 11-të të Filmit Artistik Shqiptar në Tiranë me “Dasma e Sakos” (Sako); 
Takimi i dytë në Prishtinë me filmin “Koha e kometës” (babai i Anjezës);
Takimi i tretë në Festivalin Veror të Filmit Ndërkombëtar në Durrës, me filmin “Gjallë” në origjinal “Alive!” (Zefi).

Në mbrëmjen përmbyllëse të Festivalit të Filmit, në edicionin e dytë, në sheshin e hapur “Liria” përballë Teatrit “Aleksandër Moisiu” në tryezat e shtruara për qindra të pranishëm, më patë thënë: “Rriju gati fëmijëve!” Viteve të fundit qëndroja gjatë në Durrës dhe e konsideroja veten të atyshëm, me pritjen që bënin. “Ç’ishtë ky që vinte nga Tirana, e vjen e më thotë kështu!” “Po, durrësak është Xhevdeti!”, më treguan.  

Jemi rritur me filmat në të cilët ka interpretuar Xhevdet Ferri. E ngushëllova mikun e mirë Zeqir Hamiti, për këtë lajm të hidhur. Përherë më ka folur për Të, i cili përherë e ka mirëpritur duke e nderuar praninë e Tij në Prishtinë. Ai më shkruan gjatë: “... Nuk kam dijtë as që ka qenë i sëmurë. Ka qenë burrë i mirë. Mbas të 90-ve ka pranue studentët e parë nga Kosova. Familje shumë e mirë. I huaji në Tiranë... 
Edhe si i ri ka pasë sukses në kinema. Aktor i mirë. Pedagog e organizator i mirë. Nga të rrallët që e ka dashtë shumë Kosovën. Unë e kam pas mik të mirë e koxha shok... Viteve të fundit jemi takue rrallë... U habita shumë kur ndjeva. Po e sjell në mendje vazhdimisht. Jam i pik’lluem e i mërzitun. Trishtim e dhimbje për mikun artist. U preftë në paqe!” 

Po, e vërtetë, të gjallët, miqtë dhe artistët e mërzitur. Arti dhe filmi nuk është në zi, përkundrazi. Ata dhe Këta që “po ikin të parët” i dhanë kuptim dhe shkëlqim, i dhanë vlera artit, kulturës dhe kinematografisë. I përjetshëm kujtimi për Xhevdet Ferrin. 

(Fotografia botohet për herë të parë, e realizuar në Prishtinë, vite më parë). 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco