'Ndihmë për viktimat e tërmetit në Shqipëri'/ Gazeta gjermane artikull për Aleancën e Teatrit: Besim dhe solidaritet

'Ndihmë për viktimat e tërmetit në Shqipëri'/ Gazeta gjermane artikull për Aleancën e Teatrit: Besim dhe solidaritet

17:44, 06/12/2019

Një ndër grupimet më aktive në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit është edhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Aktivistët vijojnë prej ditësh grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave pranë njerëzve dhe familjeve në nevojë, gjest ky që ka bërë jehonë edhe në mediat gjermane.

Njëra prej tyre, “Tageszeitung”, i ka kushtuar edhe një artikull në numrin e sotëm.

“Në Tiranë protestuesit duan të shpëtojnë teatrin nga shembja. Tani pas tërmetit ata mblodhën dhurime për fshatrat e prekura”, shkruan ndër të tjera Tom Mustroph në shkrimin e tij.

Ja çfarë shkruhet në artikull:

Protesta kundër shembjes së Teatrit Kombëtar të Tiranës arrin një nivel të ri. Pas tërmetit të rëndë që tronditi Shqipërinë më 26 nëntor, protestuesit e Teatrit u bënë thirrje mbështetësve të tyre për ndihma për viktimat e tërmetit.

“Ne u lutëm për ushqime bazë, si: miell, oriz, makarona, vaj, sheqer dhe ujë, veshje, mbulesa, dyshekë dhe çadra, si dhe ilaçe. Sipas vlerësimeve tona rreth 15 000 njerëz reaguan, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Italia” deklaroi Lindita Komani për taz.

Me dhurimet monetare u pagua material për ndërtimin e disa kontenierëve për banim, për akomodimin e njerëzve që humbën strehën e tyre. “Më shumë se 200 vullnetarë ndihmuan për të pranuar dhurimet materiale, për t’i paketuar ato, për të shoqëruar kamionet dhe veturat që i transportuan materialet deri edhe në vendet më të vështira për t’u arritur”, tregoi Komani në vijim. Në të paktën dy fshatra, ndihmat e organizuara nga protestuesit e Teatrit ishin të parat që arritën tek njerëzit, theksoi ajo.

Komani vlerësoi rezonancën e madhe për lutjen për mbështetje për viktimat e tërmetit si një shenjë besimi nga ana e popullit. “Ne nuk kemi pritur që kaq shumë njerëz të kishin besim tek ne. Mesa duket ata na konsideruan si njerëz që meritojnë besim, sepse ne kemi vërtetuar që jemi në gjendje t’u rezistojmë praktikave korruptuese të qeverisë”, tha ajo.

Deri në fundjavë (7/8 dhjetor) protestuesit duan të vazhdojnë me ndihmën, por në vijim ndihmat materiale që kanë mbetur do t’i dorëzojnë te Caritas dhe OJQ të tjera.

Testimi i organizimit horizontal

Pavarësisht angazhimit të tyre për të siguruar ndihmë emergjence, protestuesit nuk i janë afruar arritjes së qëllimit të tyre fillestar, shpëtimit të Teatrit Kombëtar historik përballë planeve të shembjes të një firme shqiptare investimesh dhe zyrës arkitektonike daneze BIG (Bjarke Ingels Group), vlerëson Komani perballë taz.

“Por ne kemi parë, që kur njerëzve të angazhuar e të besueshëm iu jepet mundësia që të zgjidhin probleme serioze, ata mund të arrijnë suksese të mëdha edhe me pak para. Ne kemi treguar që një model horizontal mund të funksionojë dhe që ky model mund të përsëritet kudo në Shqipëri”, përmbyll ajo.

Në ditët e ardhshme do të ketë përsëri aktivitete artistike në Teatrin Kombëtar. Nga Kosova vjen grupi Qendra Multimedia me produksionin “Pesë stinët e Armikut të Popullit”, një pjesë mbi korrupsionin në sektorin e ndërtimit. Gjysma e të ardhurave nga kjo shfaqje solidariteti do të shkojnë për të dëmtuarit nga tërmeti.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco