Kritika e kritikës kritike ose lumturia ka nevojë për rebelim

Kritika e kritikës kritike ose lumturia ka nevojë për rebelim

11:04, 03/12/2019

Filmi është art i vështirë. Në fotografi lëvizëse duhet të nxirret ajo që është e shkruar në letër. Kjo nuk është punë e kollajshme për regjisorin dhe skenaristin. Nuk është lehtë të shkruhet as në letër.

Në filmin ‘The Young Karl Marx’ (Karl Marksi i Ri) regjisori Raoul Peck, i cili skenarin e ka bërë së bashku me Pascal Bonitzer-in, ia kanë dalur që me sukses ta paraqesin jo vetëm rininë e Marksit por edhe historinë e lëvizjes punëtore duke e përfshirë veprimin e Engelsit, Prudonit dhe shumë shkrimtarëve, filozofëve dhe aktivistëve të kësaj fushe.

Ajo që e bënë filmin atraktiv është një temë e cila më herët, në literaturë dhe në filma tjerë, është injoruar. Fjala është për dy gra. Për Jenny von Westphalen, gruan e Marksit dhe për Lizzie Burns, gruan e Engelsit. Pra, në këtë film shohim segmentet e rëndësishme që kanë munguar më parë kur është paraqitur jeta e Marksit dhe Engelsit.

Jenny von Westphalen, siç shihet edhe nga emri, ka qenë aristokrate. Pse një aristokrate, e cila ka mund të bëjë jetë të lumtur, martohet me një njeri problematik (parafrazim) – është pyetja që Engels ia bënë Jenny-it. Ajo përgjigjet: ‘Lumturia ka nevojë për rebelim. Rebelim ndaj rregullave të botës së vjetër’.
Një fakt tjetër që nuk është potencuar më parë është se Jenny ka qenë tejet inteligjente. E lexueshme deri ne ekstrem. Prandaj, edhe e dijshme. Plotësisht e barabartë me burrin e saj, Karl Marksin. Po, pse nuk ka shkruar edhe Jenny sikur burri i saj? Në fakt, siç shihet në film, ajo mund të konsiderohet ko-autore e shumë veprave të Marksit dhe Engelsit. Ajo kontribuon edhe në hartimin e ‘Manifestit të Partisë Komuniste’. Kur Marksi dhe Engelsi pajtohen që të shkruajnë një libër të përbashkët, nuk kanë ide për titull. Janny, duke e dijtur përmbajtjen e librit, propozon: Kritika e kritikës kritike.

Marksi, kritkues i rreptë i institucioneve të vjetra, përfshirë ‘familjen gjermane’, ka qenë tradicionalist në këtë aspekt. Ai ka besuar në familje, ka qenë romantik, e ka dashur gruan e tij, Jenny-in, dhe është kujdesur që vazat e tij të martohen mirë.

Rasti i Engelsit, birit të një industrialsti të madh, është i kundërt. Ai nuk ka besuar në martesë dhe me Lizzie-in ka bashkë-jetuar si partnerë. Lizzie, përkundër Jenny-it, ka patur prejardhje nga shtresa e ulët dhe ka qenë analfabete por inteligjente dhe revolucionare. Kjo i ndihmoi Engelsit që më lehtë të hynte në problemet e klasës punëtore angleze dhe t’i kuptonte më shpejt.
Në këtë film shohim se sa të rëndësishme janë gratë sa që burrat nuk mund të qëndronin në këmbë pa to. ‘Gratë e kanë sherrin e madh’ – thonë prej nesh.

Sidoqoftë, një film interesant që duhet të shikohet. Aktorët nuk janë shumë të njohur por janë shumë të mirë.

Daut Dauti

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco