Je Lirikë e bukur, i dhembshmi vendi im

Je Lirikë e bukur, i dhembshmi vendi im

23:30, 28/11/2023

Nga Pranvera Shehaj

Nën hijen e dhimbjes që lufton me ambicien, kështu të deshëmvendi im! 

Të deshëm në çdo epokë, në lot e në vrasje, në ringritje dhe në shpresë, të deshëm pa vetëdije ashtu siç ishe, ashtu siç je, vendi im! 

Të deshëm si të paditur, të deshëm duke të të mallkuar, të deshëm duke të shqyer copash, por prapë të deshëm, vendi im.

Ti ishe aty përpara nesh, krenar, autokton, moskokëçarës, mikpritës, kokëfortë aq sa i dhimbsur, veç i lumtur me veten, vendi im!

E pastaj në tokën tënde ZOTI solline, shqipëtarët e tu, kaq shumë si ti, kaq të ndryshëm nga ti. Ne që nga rrënjët e tua trashëguam ngjyrime të panumërta, ngjyrime që si merita e si faje, kanë shkruar historinë në tokën tënde.

Ne ishim dhe jemi të dashur po aq sa ti, mikpritës sa ti, kokëfortë sa ti, të bukur jo sa ti, të mençur jo sa ti, tëmoralshëm jo sa ti, mëkatarë të vetes e historisë sonë, borxhlinj të tokës tënde, mëkatarë që nuk i dorëzohen pendimit për gjithçka s’të dhamë e të morëm, ty, vendi im.

I dhembshmi vendi im,

E përplasëm aq fortë në tokë krenarinë tënde të lashtë sa vetë toka, e shkelëm e nuk u ngopëm duke të ta përdhosur emrin, si bij plangprishës që pikë dhembshurie për mëmën nuk kanë. I luftuam pushtuesit e trojeve të tua e pastaj si të marrë i dashuruam në emër të paqes moderne.

Sot jemi miq me ta e armiq me ty. Në shtëpitë e tyre bujtim e të huaj jemi tek ty, se bukën e tyre kërkojmë e derën për tek ty pas vetes e mbyllëm, e nëse jo akoma, shpejt pa kthyer kokën pas, edhe i fundit bir i yti do ta mbyllë. Nuk vonoi gjatë edhe kjo ditë, kur armiq të heshtur jemi bërë me copëzat e tua nëpër Ballkan, gjithmonënë emër të civilizimit politik modern. E di, e di që lutesh mbytyrazi që ngat vetes ta kesh të ashprën copëz tënde Kosovë, por sot s’është koha për dëshirat e tua vendi im. Sot është koha për diplomacinë globale, atë që për filozofi aktuale të saj ka mohimin e tokave autoktone, fshirjen e kufijve dhe denatyrimin e diferencave që ZOTI vetë ka krijuar në terrenin e ne mëkatarëve.

Paska qenë e shkruar që kështu të të gjente kjo ditë. Në emër të kësaj diplomacie, sot Kosovën e ke më larg se kurrë, ndarë me ty nga një akull politik që çdo vit e më shumë reflektohet në ndarje vëllazërore të heshtur në dy anët e kufirit. Mbase nuk të ngushëllon, por ti më kot habitesh. E para herë është që bijtë e tu përçahen?

Ti e di më mirë se ne, ç’panë sytë e tu kur shqipëtari vriste shqipëtarin, në shtëpinë tënde, në trojet e tua. Shqipëtarët që shuanin njëri tjetrin, populli që gabimisht fe kishte patur atdheun, zhgërryen atdheun në idealin për parti.

Shqipëtarët e tu të paditur, që vrisnin, prisnin, e mazokisht ua morën frymën, jetën dhe ëndrrat, shqipëtarëve të tu të ditur, atyre që trojet e tua ëndërr kishin t’i kthenin në etalon të zhvillimit përmes fjalës, mendjes, letrës e penës. Por, bijtë e tu mëkatarë të etur përgjak, paskishin qenë më të zotët moj e mira Shqipëri! 

E ti e pafuqishme i pe si kacafyteshin egërsisht e si shtëpinë tënde e përdhosën me njollë të pashlyeshme ndër shekuj histori. Aq shumë të njollosëm ndër pesë dekada, sa kokën më nuk e ngrite, si dikur, me krenari.

Shqipëtarët, eh shqipëtarët e tu moj e bukura

Shqipëri…! Bij rebelë jemi, apo? Luftëtarë jemi, apo? Bij tradhtarë jemi, apo? Bij që lart i çon inati, por jo dëshira, apo? Bij që për trojet e tua gjakun nuk e kursyen, apo? Luftuam si të përçartur që veç tonën të të kishim, e kur të patëm, më s’të deshëm.

Klasike e atyre që u lufton egoja dhe mllefi, por kurrsesi dashuria! Shqipëtarët, eh shqipëtarët, mosmirënjohësit që mbajnë fjalën, krenarët që si fëmijë qanin dhe qajnë për atdhe, atdhetarët që i lanë tokat e tua shkretë. Shqipëtarët, eh shqipëtarët moj e dhimbsura Shqipëri.

Të pangopurit që kur në të rrallë e shkelin tokën tënde, - ashtu fodullë, të largët, të vetëkënaqur, a thua të parët e të fundit që lypën të ardhme jashtë atdheut (dikur disa në rini, e sot çmendurisht në pleqëri) – egërsisht e të bindur në të drejtën tyre të pyesin: „çfarë më dhe moj Shqipëri?“ Dhe ti, e bukur sa e varfër, e heshtur sa e zhurmshme, tutesh, heshtesh, ashtu si prindi në faj që dot botën birit të tij nuk ia fali. Heshtesh, dhe dot nuk thua: „Jetën ta fala. A ma shlyendot?” Ti hesht se e njeh birin tënd, si i pangopur deri në mëkat, jeta që i dhe nuk i mjafton të të dojë. Edhe nëse pas të ka lënë, prapë sikur veç dhimbshëm të të dojë e zemra ëmbël t’i rrahë deri kur prapë të të takojë. E vështirë, se ti i njeh bijtë e tu. Edhe kur një gur të mos kenë vendosur në trojet e tua, kjo nuk i ndal për të ta shkundur trupin nga ndjenja e fajit që nuk ishe dot etalon perëndimor. 

Ti je lirikë e bukur, i dhembshmi vendi im! Je lirikë e shkruar në gurët e trojeve të tua, në valët e deteve që t’i njomin sytë, në tokën e ashpër të Labërisë, ti je e gdhendur në bjeshkët e malësisë, je e shkruar në tingujt e çiftelisë, ti je lirikë që rrjedh ndër Drin, je qetësi në Vjosë. Ti je lirikë e derdhur në këngët e tabanit, në fustanet e bukur të vashave të tua që flenë ndër legjenda. Ti je lirikë e bukur kur gëzon, kur loton, kur mirëpret krahëhapur në sofrën e varfër sa veç duart e tua e dinë, e të pasur sa veç zemra jote e di! Je lirikë e bukur vendi im, ndaj unë jam krenare për ty e mbase jo ti për mua…! 

E ç’të duhemi pranë, vendi im? Nuk ditëm kurrë të të duam, të të mbrojmë, nuk ditëm të të lartësojmë, nuk ditëm të të bëjmë krenar e aq më pak ditëm të të shpërblejmë për tokën ku na linde. 

Ç’na do pranë vendi im kur nuk jemi në lartësinë tëndese nuk trashëgojmë forcën dhe krenarinë tënde. I përgjigjesh braktisjes sonë me thirrje, urrejtjes sonë me lutje, mllefit tonë me dhembshuri. Ne të mohojmë, e ti prapë na jep identitet në çdo cep të globit edhe kur ne me zell dhe si të verbër kërkojmë dëshpërimisht tjetër identitet, tjetër gjuhë, tjetër kulturë. Përse na thërret kur për ne ti je demodeja, relikja, e vjetra, e padenja për modernizimin që kërkojmë?! E di, na thërret se jemi bijtë e tu, se pa ty çdo identitet tjetër është vetëm në letra, kurrsesi në zemër, aq më pak në gjak. Ti na thërret se e di që pa ty nuk kemi emër. Si ka mundësi që nuk u lodhe së thirruri bijtë që të braktisën? A thua sepse kështu janë nënat, e dhimbsura, Shqipëria ime?! A thua ndaj vazhdoj e dëgjoj ditë dhe natë thirrjen tënde dhe e di se derën hapur do ta gjej? A thua sepse kështu është streha e nënës, e dhimbsura, Shqipëria ime?!

Je lirikë e bukur vendi im, je lirikë që e venit largësinë dhe lë një shteg të hapur për dashuri, si ato të rrallat, prej lindjes derinë përjetësi…!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco