Kori Siparantum, dëshmi suksesi

Kori Siparantum, dëshmi suksesi

10:56, 01/11/2023

Në garën prestigjioze të koreve, "Grand Prix of Nations", e cila u zhvillua në Norrköping të Suedisë, kori i Kosovës Siparantum është shpallur fitues i Lojërave Evropiane të Koreve, nga ku ka rrëmbyer medaljen e artë në kategorinë më të lartë të garave “Çmimin e Madh të Kombeve”.

Siparantum doli fitues pas garës me 65 vende tjera. Sipas përfaqësuesve të korit paraqitja e tyre reflektoi një energji të jashtëzakonshme dhe ky sukses nuk erdhi rastësisht pasi është një produkt i një pune të palodhshme dhe pasionit të të gjithë anëtarëve të korit të cilët punuan gjatë për këtë program dhe për paraqitjen.

Në mbështetje të korit ishin përfaqësues nga Ambasada e Kosovës në Suedi, në krye me ambasadoren Shkëndije Geci-Sherifi.

Kori Siparantum është kori më me zë në skenën e muzikës kosovare, i formuar në vitin 2017 nga një grup vullnetarësh me një pasion të përbashkët: këndimi, bashkëpunimi, miqësia dhe përfaqësimi i kulturës së pasur të Kosovës në arenat ndërkombëtare. Përmes punës intensive të anëtarëve vullnetarë të frymëzuar dhe entuziastë, kori ka arritur të shfaqë trashëgiminë e pasur të Kosovës jashtë kufijve të saj. Kori synon të përforcojë diversitetin dhe ndërtimin e një kulture të mirëseardhjes përmes muzikës, duke promovuar trashëgiminë kulturore të pasur të Kosovës, ndërsa ndërton ura për ndërkombëtarizimin e muzikës.

Ata motivojnë audiencat në të gjithë botën me përkushtimin dhe pasionin e tyre të palëkundur, duke shpërndarë bukurinë e traditave muzikore të Kosovës.

Si rezultat i punës së palodhshme dhe vendosmërisë së dirigjentit të përhershëm, Memli Kelmendi, së fundmi atij iu besua funksioni i Ambasadorit Kombëtar të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Dirigjentëve Koral. Ai njëherësh është përfaqësues i Kosovës në rrjetin më të madh të koreve në botë, World Choir Council nga viti 2018.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco