Artistja kosovare e muzikës techno në turne evropian

Artistja kosovare e muzikës techno në turne evropian

10:00, 30/10/2023

Artistja nga Kosova, Mirjana Radovanoviq, e njohur si Flekitza, do të performojë më 31 Tetor në Francë, ku do ta prezantojë muzikën e saj techno, të cilën e krijon në studion e saj në Luksemburg.

Flekitza është një nga themeluesit dhe zhvilluesit e skenës së muzikës techno në Kosovë. Tashmë e njohur për aftësitë e saj si DJ, ajo sjell muzikë techno e cila ka shumë energji dhe u jep fansave të saj dëshirë dhe frekuenca për të vallëzuar deri në orët e hershme të mëngjesit.

Me përvojë në radio, televizion, gazetari dhe promovimin e skenës së muzikës elektronike në Kosovë, ajo është një nga themeluesit e shtëpisë diskografike Take More Music Recordings, e cila punon në promovimin e muzikës techno në nivel botëror.

Themeluar në vitin 2006 dhe përkrahur nga emra të njohur Evropian të muzikës elektronike, Take More Music Records ka një vend të rëndësishëm në skenën Evropiane të muzikës techno. Ka kontribuar në zhvillimin e skenës Evropiane të muzikës elektronike, e cila reflekton një influencë të rëndësishme në kulturën multi-etnike të Kosovës.

Duke kombinuar dashurinë dhe pasionin për muzikën techno, Flekitza ka një energji të dallueshme, dhe si rezultat i punës së saj, ajo ka performuar në shumë shtete të Evropës, përfshirë Gjermaninë, Portugalinë, Italinë, Francën, Zvicrën dhe Holandën, dhe në vitin 2016, në duet me partnerin e saj Vegim, performuan në festivalin Exit në skenën No Sleep në Novi Sad.

Në vitin 2022, me përkrahjen e Komunës së Prishtinës, departamentit të kulturës, lansuan albumin e parë të titulluar "Shifting Operations" në shtëpinë e tyre diskografike Take More Music Records. Që nga viti 2017, Flekitza gjithashtu është anëtare e jurisë së çmimit Kroat për muzikë elektronike të quajtur Ambassador.

Nē fillim të këtij viti, ajo ka performuar në Amsterdam në qendrën e famshme kulturore Melkweg, dhe hyri në bashkëpunim me dyqanin e pllakave të gramofonit InDeep'n'Dance Records, ku mund të gjendet albumi "Shifting Operations" në pllakë të gramofonit.

Më pas, ajo ka performuar në Luksemburg në klubin underground "Ground" dhe performanca e saj e radhës do të jetë në natën e Halloween-it në qytetin Metz të Francës, duke u bërë kështu pjesë e skenës së muzikës elektronike në këtë pjesë të Evropës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco