Mozaiku madhështor i Festivalit të Këngës në RTK po merr formë

Mozaiku madhështor i Festivalit të Këngës në RTK po merr formë

14:14, 18/10/2023

Numërimi prapa ka filluar. Edhe tetë ditë do t’i vihet ‘gurthemeli’ një festivali i cili do të shndërrohet në shtëpi për shumë artistë në kuptimin e përkatësisë. Madje ky është momenti që vë muzikën shqipe në një kthesë serioze dhe e institucionalizon atë.

Edicioni i parë i Festivalit të Këngës në RTK po afron. Ekipa në krye me drejtorin Adi Krasta ka përvjelë mëngët tash e një kohë. Energjia që po mbizotëron në çdo cep të Pallatit të Rinisë është dinamike dhe tashmë i gjithë procesi i ngjan punës së një ‘ushtrie artistike’.

Të gjithë janë të vetëdijshëm që nëpërmjet këtij Festivali Kosovës po i hapen dyert për konkurrim në një të ardhme në garën europiane të muzikës, “Euro Song Contest”.  Madje synimet shkojnë edhe përtej saj, por mbi të gjitha drejtuesit e festivalit thonë se Kosova me krijuesit e saj ka merituar qysh moti një ngjarje të tillë.

“Është një aktivitet mbarëkombëtar, i dedikohet cilësisë së lartë të krijimit muzikor, sjelljes plotë shije dhe elegancë të njerëzve në televizion dhe do të realizohet vetëm për t’i dhënë Kosovës e mbarë shqiptarisë një zë të rëndësishëm sepse Kosova është shumë e avancuar dhe plotë energji”, ka thënë javë më para drejtori Krasta në një intervistë me shumë entuziazëm.

Datat 26, 27 e 28 tetor do të përjetohen si festë dhe do të hyjnë në histori si të tilla. Përveç 18 këngëve garuese, të cilat vlerësohen për diversitetin e zhanreve të ndryshme, programi premton shfaqje, dramë, muzikë; thënë më shkurt, art në dimensione të ndryshme.

“Duhet me qenë festë, duhet me qenë një fillim që me një moment që kënga nga Kosova të përfaqësohet në “Eurosong”, po shpresoj se ai moment të vjen sa më shpejt, dhe RTK të jetë pjesë e EBU-së sa më parë, si dhe që të hapet rruga që kënga fituese të jetë pjesë e “Eurosong”, thotë drejtori artistik Florent Boshnjaku në një intervistë për RTK-në.

InorgA me këngën “Shumë herë më nervozojnë”, Albin me “Ajo”, Bana Zahiti me “Dukat”, La Fazani me “Oj Kosovë”, Arjela Krasniqi me “Emri grua”, Auron Deva me “Çmimi i dashnisë”, Vjosa Shehu me “Vetes”, Angus Dei me “Një zemër për dy”, Ermal Demiri me “Merri”, Franc Koruni me “Shqip”, Mentor Mripa me “Po ju rrëfehem”, Neki Emra me “Heroi im”, Nita Latifi me “Marrëzi”, Saranda Alija me “Mendj ku je”, Teuta Statovci me “Sekreti i tij”, Urban Band me “Ëndrrat s’kanë faj”, Klea Dina me “Trenat” dhe Hilmi Obertinca me “Pa ty s’më rrihet” do të prezantohen në Festivalin e Këngës, si garues në edicionin e parë të tij.

Edicioni i parë i Festivalit të Këngës realizohet në Prishtinë, në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë dhe transmetohet live në Radio Kosovë dhe në Televizionin e Kosovës.

ImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco