Vdes shkrimtari i madh sirian Khaled Khalifa: ‘Një ditë, ne do të fitojmë’

Vdes shkrimtari i madh sirian Khaled Khalifa: ‘Një ditë, ne do të fitojmë’

12:18, 04/10/2023

Vdekja e shkrimtarit të njohur sirian Khaled Khalifa ka tronditur komunitetin brenda dhe jashtë vendit. Khaled vdiq në shtëpinë e tij në Damask pas një ataku të papritur në zemër, në moshën 59-vjeçare.

E takova Khaled Khalifa-n në Damask në fillim të viteve 1990, pikërisht kur fama e tij si skenarist po merrte hov dhe menjëherë u bëmë miq të ngushtë, shkruan Lina Sinjab e
BBC News në Beirut.

"Karriera e tij si shkrimtar gjithashtu filloi rreth asaj kohe, me romanin e tij debutues “The guard of deception”. Më vonë ai filloi të shkruante seriale për TV dhe fitoi vlerësim për dramën popullore “A portrait of the Jalalai family” (Një portret i familjes Xhalali).

Shkëlqimi i Khaledit u vulos kur ai fitoi medaljen prestigjioze “Naguib Mahfouz për Letërsinë” në vitin 2013 për romanin e tij “In praise of hatred” (Në lavdërim të urrejtjes) i cili u përkthye në gjashtë gjuhë.

Tri vjet më vonë, një tjetër nga romanet e tij, “Death is hard ëork” (Vdekja është punë e vështirë) për udhëtimin e një babai të vdekur që të varrosej në qytetin e tij të lindjes gjatë luftës në Siri, u nominua për Çmimet Kombëtare të Librit në SHBA.

Por Khaled u nderua në atdhe për më shumë sesa thjesht për veprën e tij letrare.

Miku im kishte një personalitet më të madh se jeta, ai shkëlqente kur ecte rrugëve të Damaskut, duke i përshëndetur të gjithë sikur të ishin anëtarë të familjes.

​ Khaled Khalifa ka lindur në natën e Vitit të Ri, diçka që ai tha se ka ndikuar në karakterin e tij dhe e ka mbushur me gëzimin e jetës.

Me flokët e tij kaçurrelë të argjendtë, ai nganjëherë jepte një figurë të egër dhe çfarëdo që bënte, e bënte deri në ekstrem.

Kur pinte dehej për të shijuar; kur gatuante, krijonte një rrëmujë rreth tij, duke bashkuar shijet dhe përbërësit derisa arriti pjatën e tij të përsosur; kur shkruante, mjeshtëria me të cilën i jepte në jetë personazhet e tij të merrte frymën.

Khaled ishte bujar me të tjerët dhe gëzonte njohjen që sillte karriera e tij kudo që shkonte, megjithatë ai ruante ende një cilësi fëmijërore të pafajësisë dhe habisë.

Pavarësisht vlerësimit të tij kombëtar në Siri, Khaled qëndroi parimor dhe pozicioni i tij ndaj diktaturës dhe lirisë mbeti gjithmonë i qartë.

'Ne do te fitojme'

Kur filloi revolucioni në Siri në vitin 2011, Khaled besonte me entuziazëm se protestat që filluan në mënyrë paqësore do të sillnin ndryshim.

I ulur në kafenenë Havana në Damaskun qendror, Khaled ishte i bindur se ndryshimi ishte i afërt.

"Vura bast se revolucioni do të fillonte në qytetin tim të lindjes, Aleppo, dhe do të duheshin dy javë që ne sirianët të fitonim lirinë," më tha një herë.

Ai shpërtheu duke qeshur. “Kam humbur bastin dhe vazhdoj të humbas”, tha ai. "Por ne nuk do ta humbim shpresën; një ditë do të fitojmë."/ar/sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco