'Unfaithful', një film i madh me tre aktorë të mëdhenj

'Unfaithful', një film i madh me tre aktorë të mëdhenj

08:24, 07/09/2023

Nga: ROLAND QAFOKU

Ky është posteri i filmit “Unfaithful” (Pabesia) një nga filmat më të vlerësuar në Hollywood në 20 vitet e fundit dhe që industria e filmit e ka kthyer së fundi në vëmendje për vlerat që mbart.

Një dramë dashurie dhe familjare për shkak të tradhëtisë që shkakton pasoja fatale e ndërthurur edhe me disa skena horror dhe që teksa e shikon të shoqëron me disa dilema të mëdha për të mos e ndarë mendjen në asnjë moment se cili është fajtori real, cili është krimineli real dhe nëse mund ta shfajësosh dikë për tradhëtinë por edhe për krimin e kryer.

Filmi i shfaqur për herë të parë në vitin 2002 solli një lojë fantastike të tre aktorëve. E para, amerikania Diane Lane si Connie, me këtë film arriti kulmin e pjekurisë së saj aktorale. I dyti Richard Gere si Edward, vijoi në nivele të larta dhe i treti francezi Olivier Martinez si Paul që me këtë film e futi veten në kastën e lartë hollywood-iane.

Të tre arritën të sjellin për publikun amerikan dhe botëror me aq mjeshtëri një histori të madhe dashurie dhe një pabesi aq të madhe gjithashtu qw shkaktoi një krim të rëndë.

Nga fillimi deri në fund filmi ka sa besnikëri, po aq edhe tradhti dhe pafajësi. Me një nivel regjisorial të mjeshtrit Adrian Lyne, ai të mahnit për aftësinë sipërore se si një histori libri të mirë e ka kthyer në një film shumë të mirë.

Një element aq i dashur për mua është muzika e filmit që në këtë rast, për autor ka polakun Jan Andrzej Paweł Kaczmarek që i ka dhënë edhe më shumë bukuri filmit me kolonën e ëmbël zanore. Ishte ky film që bëri që aktoria Diane Lane të nominohej 18 herë për çmime të ndryshme, mes tyre dhe Oscar dhe të fitojë 4 prej tyre dhe më e rëndësishmja për të ka qenë që të futet mes aktoreve më të mira në histori. Për nga loja e saj, duket sikur ky film ishte prodhuar posaçërisht për Diane Lane.

Nuk besoj që është dikush që nuk e ka parë këtë film. Luan Diane Lane, Richard Gere dhe Olivier Martinez. Është një film i madh me tre aktorë të mëdhenj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco