'Udhëtimi i gjatë drejt natës' fiton në Festivalin e Teatrove në Ferizaj

'Udhëtimi i gjatë drejt natës' fiton në Festivalin e Teatrove në Ferizaj

07:59, 05/09/2023

Ka përfunduar edicioni i 53-të të Festivalit të Teatrove të Ferizajt. Këtë vit tetë shfaqje kanë konkurruar për çmimin kryesor, ndërkaq një ka qenë jashtë garës.

Shfaqja “Udhëtimi i gjatë drejt natës” e prodhuar prej Teatrit Kombëtar të Kosovës, nën regjinë e Iliriana Arifit dhe me tekst të Eugene O’Neil, është vlerësuar si më e mira nga juria në përbërje prej regjisorit e aktorit Mentor Zymberaj, regjisorit Iliran Himaj dhe dramaturges e gazetares Getoarbë Mulliqi.

Çmimin për regjinë më të mirë e ka marrë regjisori Ilir Bokshi për shfaqjen “Gënjeshtari”, produksion i teatrit “Adriana” të Ferizajt.

Aktori Shkumbin Istrefi ka marrë çmimin “Aktori më i mirë” për rolin e tij në shfaqjen “Arbri” me tekst dhe regji të Lirak Çelajt, produksion i teatrit “Oda”.

Ndërkaq, çmimi për aktoren më të mirë ka shkuar te Aurita Agushi për rolin e saj në shfaqjen “Tatuazhi i trëndafilit” nën regji të Zana Hoxhës, produksion i teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit.

Për rolet dytësore me çmime janë vlerësuar Mumin Abdullahu për rolin e tij në shfaqjen “Krokodili” dhe aktorja Arta Selimi për rolin e saj në shfaqjen fituese “Udhëtimi i gjatë drejt natës”.

Sivjet organizatorët kanë vendosur për themelimin e çmimit “Yll në Ardhje” që prej sivjet do t’u jepet artistëve të rinj të teatrit, qoftë regjisor, aktor, kostumograf, skenograf apo kompozitor, që i sjell veçanti kreative apo performuese dhe që premton të jetë yll teatri në ardhje.

Fituese e parë e këtij çmimi është aktorja Zhaneta Xhemajli për rolin e saj në shfaqjen “Sober” që sivjet regjisori i saj, Butrint Pasha, ka fituar çmimin “Regjisori më i mirë”. Kjo shfaqje është produksion i “Artpolis”.

Aktori ferizajas Arben Marevci ka fituar çmimin “Roli më i mirë episodik” për shfaqjen “Gënjeshtari”, ndërkaq çmimin për skenografinë më të mirë e ka marrë Bekim Korça për shfaqjen “E vërteta” nga Teatri i Gjilanit. Çmimin për kostumografinë më të mirë e ka marrë Njomëza Luci. Unike janë kostumet e saj për “Gënjeshtarin”.

Ceremonisë përmbyllëse i ka paraprirë shfaqja jashtë garës, “Unë jam vetë grua” me lojën mjeshtërore të Adrian Morinës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco