Fillon edicioni i 53-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj

Fillon edicioni i 53-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj

13:47, 27/08/2023

Në Ferizaj, sonte më 27 gusht fillon edicioni i 53-të i Festivalit të Teatrove. Për nëntë net sa do të zgjasë ky festival, që dikur ishte i pari i kësaj natyre në hapësirat mbarëshqiptare, në Teatrin “Adriana”, artdashësit mund të shohin dhjetë shfaqje të ndryshme.

Në qytetin që tash njihet si i muraleve, e që u lind 150 vite më parë në dy krahët e linjës hekurudhor që dikur shpinte deri në Selanik të Greqisë, sonte nis Festivali i Teatrove – Ferizaj 2023.

Edicioni i 53-të i këtij festivali fillon me shfaqjen “Gënjeshtari” të Teatrit “Adriana”. Pas kësaj, për tetë net do të jepen edhe 9 shfaqje të tjera, tregon për Radio Kosovën Besim Ugzmajli, drejtor i festivalit.

“Më datën 28 është shfaqja “Godja”, një bashkëprodhim i Multimedial dhe Teatrit Eksperimental të Tiranës – Kujtim Spahivogli. Më datë 29 vjen Teatri Oda, me shfaqjen “Arbëri”. Po të njëjtën ditë do të jetë shfaqja “Sabër” nga Artpolisi. Data 30 është rezervuar për Teatrin e Gjakovës me shfaqjen “Antigonat”, për të vazhduar tutje me datën 31 me shfaqjen “Krokodili” të Teatrit të të rinjve nga Shkupi”, tha Ugzmajli.

Ditën e parë të shtatorit do të jepet shfaqja e Teatrit Kombëtar ‘Udhëtimi i gjatë drejt natës”. Më 2 shtator “Tatuazhi i trëndafilit” i Teatrit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”. Në natën pasuese, Teatri i Gjilanit me shfaqjen “E vërteta”. Festivali përmbyllet më 4 shtator, me shfaqjen “Unë jam vetë grua”, e cila është jashtë konkurrencës, shpjegon Uksmajli, teksa tregon se festivali me traditë mbi gjysmë shekulli, këtë vit nuk është përkrahur financiarisht nga Ministria e Kulturës.

“Pas mos përkrahjes ka qenë një mobilizim i jashtëzakonshëm dhe një përkrahje shumë e madhe e gjithë komunitetit teatror e kulturor që ky edicion të mbahet në lartësinë e vet, pavarësisht mos financimit nga Ministria e Kulturës. Ne jemi shërbyer vetëm me përkrahjen që ka dhënë Komuna e Ferizajt. Është dhënë maksimumi që parashihej me rregulloret e komunës, mirëpo ky maksimum sigurisht që nuk ka qenë i mjaftueshëm për një edicion të tillë”, tha Ugzmajli   

Në kuadër të netëve festive organizohen edhe ndeja pas përfundimit të shfaqjeve që nisin nga ora 19:00. Çmimi i biletave për të parë shfaqjet është 2 euro. Në natën finale, juria në përbërje të Mentor Zymberaj, Getoarbë Mulliqi dhe Ilirian Himaj, do të ndajë çmimet e festivalit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco