Filmi “Barbie” fiton betejën, radhitet në krye të klasifikimit për biletat e shitura

Filmi “Barbie” fiton betejën, radhitet në krye të klasifikimit për biletat e shitura

14:06, 26/07/2023

Kombinimi i dy filmave “Barbie” dhe “Oppenheimer” arriti të rikthejë shikuesit në sallat e kinemave në numra rekord, falë edhe një fushate në mediat sociale. U tejkaluan të gjitha parashikimet duke i dhënë edhe një shkëndijë shprese këtij sektori të industrisë së argëtimit që kishte mbetur pas rishtazi, ndërkohë që janë hedhur në grevë punonjësit e Hollivudit.

Fenomeni, që mori emrin “Barbenheimer”, u shndërrua në ngjarjen e vitit për industrinë e filmave. Kombinimi i satirës së Greta Gerwig me kukullën e mirënjohur Barbie dhe i filmit tre orësh për Robert Oppenheimer-in, të ashtuquajturin babain e bombës bërthamore, ngjalli interesin e shikuesve gjatë fundjavës.

Vendin e parë e zuri filmi “Barbie” i kompanisë Warner Bros, duke arritur të shesë bileta me vlerë 155 milionë dollarë në kinematë në Amerikën e Veriut dhe duke ia kaluar edhe filmit “The Super Mario Bros. Movie” dhe duke vendosur rekord të ri për filmat e drejtuar nga një grua regjizore.

Filmi “Oppenheimer” i kompanisë Universal gjithashtu i tejkaloi pritshmëritë, duke shitur bileta me vlerë 80.5 milionë dollarë, dhe duke u shndërruar kështu në filmin e dytë më të mirë të regjizorit Nolan, pas filmit “Batman”.

“Mendoj se arritën ta shndërrojnë në një fenomen kulturor. Janë dy filma shumë të ndryshëm që u reklamuan jashtëzakonisht mirë. ‘Barbie’ është më komerciali nga të dy. Por mendoj se realizuan një fushatë nga ndjekësit që morën konceptin e Barbenheimer-it dhe e vazhduan. Mendoj se është një ide marketingu e shkëlqyer për Hollivudin. Mendoj se kjo i bëri të dy filmat shumë të suksesshëm dhe një pikë referimi kulturor”, thotë eksperti i filmave Niall Browne.

Ideja e emërtimit të fenomenit “Barbenheimer”, nëpërmjet kombinimit të emrave të dy filmave, mund të ketë filluar si një konkurim dashamirës mes dy pikëpamjeve të kundërta estetike, por që rezultoi me përfitim për të dyja palët.

“Është një dyshe perfekte. Mund ta filloni ditën me ‘Barbie’-n, pastaj të kaloni direkt tek ‘Oppenheimer’ dhe pastaj me një sekuencë përmbyllëse për ‘Barbie’-n”, thotë aktorja Margot Robbie.

“Sugjeroj ‘Barbie’-n së pari, ‘Oppenheimer’-in për drekë dhe në fund prapë Barbie-n”, thotë aktori Ryan Gosling.

Shitjet jashtë Amerikës arritën shifra edhe më të mëdha dhe madje në Indi filmi “Oppenheimer” ia kaloi filmit “Barbie”.

Të dy filmat u pritën mirë nga kritikët, me vlerësime nga ekspertët në rrjetin Rotten Tomatoes në kuota prej 90% për filmin “Barbie” dhe 94% për filmin “Oppenheimer”, si dhe një vlerësim të nivelit “A” nga audiencat në CinemaScore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco