Romani 'Lamtumirë armë' nga Ernest Hemingway, si kundërvënie ndaj ideve të luftës

Romani 'Lamtumirë armë' nga Ernest Hemingway, si kundërvënie ndaj ideve të luftës

10:20, 21/07/2023

Romani “Lamtumirë armë” nga Ernest Hemingway është njëri prej tre romaneve që, në njëfarë mënyre, i kanë vënë bazat e një formacioni letrar që në letërsinë e shekullit XX njihet si letërsia e autorëve të “Brezit të humbur”.

Ky roman u botua në vitin 1929 - vit kur dolën edhe dy romane të tjerë - që erdhën si kundërvënie ndaj ideve të luftës që propagandoheshin fuqishëm në kontinentin evropian nga dy ideologjitë vdekjeprurëse, fashizmi dhe nazizmi: ai i shkrimtarit gjerman, Erich Maria Renmarque, “Asgjë të re nga fronti i perëndimit” dhe “Vdekja e heroit”, nga autori anglez, Richard Aldington.

“Lamtumirë armë”, ndërkaq, konsiderohet një lloj “manifesti” i letërsisë së autorëve të “Brezit të humbur”. Këta autorë (shumica prej tyre) i përjetuan tmerret e dy luftërave botërore, panë me sytë e tyre persekutimin hebrenjve dhe copëtimin e Evropës, duke qenë dhe dëshmitarë kur u shkelën e u përdhosën idealet më humaniste të qenies njerëzore.

Në veprat e tyre autorët e “Brezit të humbur” e ngritën kultin e dashurisë si kundërvënie ndaj kultit të luftës.

Kryemjeshtri i “Teorisë së ajsbergut”, Hemingway, në këtë roman na rrëfen romancën më të bukur për luftën dhe për dashurinë. Në romanin “Lamtumirë armë” dashuria ndodhë pa kushte; muzat e saj bien nga qielli krejt natyrshëm, pa u trembur dhe pa pyetur fare për predhat e luftës.

Me elemente të theksuara autobiografike, romani “Lamtumirë armë” konsiderohet autobiografia letrare e Hemingway-t. Shumë biografë thonë se në këtë roman ai rrëfeu përvojën e tij si luftëtar në Luftën e Parë Botërore.

Në romanin “Lamtumirë armë” Hemingway ka trajtuar tri tema paralelisht: temën e shpresës në kohë lufte, temën e guximit në betejë dhe të dëshirës për t’u dashuruar.

Ashtu siç rëndom ndodh në romanet e tij, edhe te “Lamtumirë armë” Hemingway na shfaq një botë kontradiktash: përballë gjëmimeve të topave në transhe, shpërthen “zëri” i dëshirave më të sinqerta njerëzore: i dëshirave për liri dhe i dëshirave për dashuri.

Shumë studiues mendojnë se në letërsinë e shekullit XX nuk gjendet një tjetër përshkrim më i realizuar se sa i Hemingway-t mbi një personazh grua. Infermierja Keti (Catherine Barkley) në romanin e Hemingway-t është një grua jashtëzakonisht e bukur, bukuria e së cilës nuk vije vetëm nga hiret e trupit, por edhe të shpirtit. Ajo është jashtëzakonisht e thjeshtë, jashtëzakonisht e butë, thellësisht e sinqertë, emocionale, miqësore dhe e guximshme. Maktheve fantazmagorike të luftës, siç duket, Hemingway përpiqej t’i kundërvihej me bukurinë dhe sensualitetin e gruas.

Figura e gruas në romanin “Lamtumirë armë” lidhet me figurën e shpresës - shpresës për të mbijetuar në luftë, shpresës për ngadhënjim të paqes mbi luftën, shpresës për lirinë, shpresës për dashurinë.

Romani “Lamtumirë armë” mund të thuhet se është dhiata kundër luftës e një shkrimtari të veçantë, me një jetë e një krijimtari të veçantë - dhiata e një shkrimtari luftëtar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco