VIDEO SYRI TV/ Shuhet mjeshtri i letërsisë Milan Kundera. Shkroi për lirinë, njerëzimin e dashurinë

17:50, 12/07/2023

Mjeshtëri i letërisë botërore, Milan Kundera është shuar në moshën 94-vjeçare. Autori bohem, që luftoi me vepra regjimin komunist në Çekosllovaki, shkroi për lirinë, njerëzimin e dashurinë. Lexuesit e përkorë të librave të tij u trishtuan për këtë humbje, megjithatë Kundera do të mbetet përjetë mes tyre përmes krijimtarisë.

Nga Egla Xhemalaj-SYRI TV

I vetmuar në apartamentin e tij në Paris, atje ku u frymëzua të shkruante veprat më të rëndësishme letrare si ‘Lehtësia e padurueshme e qenies’, ‘Shakaja’, ‘Pavdekësia’, ‘Identiteti’ apo ‘Takimi’, Milan Kundera niset në udhën e fundme të përjetësisë, nga një sëmundje e rëndë prej së cilës vuante prej vitesh. Shkrimtari çek jetoi si bohem i vërtetë.

Ai konsiderohet një ndër shkrimtarët më të mëdhenj antikomunistë, ndërsa u arratis nga Çekia komuniste në vitin 1975, për në Francë. Në vitin 1981 Kundera përfitoi shtetësinë franceze dhe që prej atëherë e konsideronte veten francez.

Beteja më e fortë e tij ka qenë komunikimi me lexuesit, ngase librat e tij u ndaluan nga regjimi komunist në Çekosllovaki, deri në rënien e këtij regjimi nga revolucioni Velvet në vitin 1989. 

Kundera që zanafillën e botës e shihte te e thellësishmja do të shkruante në librin ‘Lehtësia e padurueshme e qenies’ se dashuria lind nga një metaforë, e se këto të fundit janë të rrezikshme. 

Më tej, krijimtaria e tij e veprat u pikasën nga subjektet e  mprehta, tragjikomike, të cilat shpesh ndërthureshin me debate të thella filozofike dhe portretizime satirike të jetës nën shtypjen komuniste. Rrekjet për ta ndaluar e bënë të pamposhtur Milan Kunderën, që e deshi lirinë, njerëzimin dhe i dedikoi veprat e tij ndjeshmërive të thella, ai sot endet me kujtimet e lexuesit sa te njëri personazh, po aq dhe te tjetri I skalitur mrekullisht siç shkruante.

Kundera ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare, megjithatë për lexuesit e mbarë botës, ai do të mbetet i gjallë siç meritojnë të jenë mëkuesit e shpirtrave njerëzore me letërsi të mirë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco