Kur Heminguej i shkruante Petro Markos

Kur Heminguej i shkruante Petro Markos

21:09, 01/07/2023

Një ndër autorët më të mirë shqiptarë, i cili për fat të keq vlerësohet jo aq sa duhet, është Petro Marko. Me librat e tij “Nata e Ustikës”, “Hasta la vista”, “Qyteti i fundit” e të tjerë, ai krijoi të parat vepra shqipe të letërsisë së brezit të humbur.

Fati kishte dashur që një herë e një kohë, ai të takohej me laureatin e mimit Nobel, shkrimtarin e madh Ernest Heminguej.

Ernest Heminguej

Në artikullin “Shkrimtari, që do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”, marrë nga parathënia e librit “Për kë bie këmbana”, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”, Petro Marko shkruan:

…U njoha me Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo, Nekse, Ana Serges, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Atonia Maçado e të tjerë. Ky dukej më i gjalli. Unë për herë të parë i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kolosëve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror.

Petro Marko

Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:

-Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat që mban!

-Më shumë mi rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Heminguej.

Kur lexova romanin e tij u mahnita, prandaj nisa dhe unë të shkruaja romanin “Hasta la vista”. Kur u botua, i dërgova edhe atij një kopje, ku i shkruajta “I frymëzuar thellë dhe i nxitur nga romani juaj ‘Për kë bie këmbana’, kushtuar vullnetarëve amerikanë, që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve që ranë në Spanjë”.

Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të Heminguejit, shkruar në gjuhën spanjolle: “I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falenderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco