Varësia nga pushteti i dhisë

Varësia nga pushteti i dhisë

11:58, 13/05/2023 Nga Afrim Kasolli

Pak kush e ka përshkruar më mirë, se sa shkrimtari i njohur i Amerikës Latine Mario Vargas Losa, rropasjen individuale qe e krijon varësia absolute nga lideri. 

Në romanin e tij të njohur "The feast of the Goat" roman ky i ekranizuar edhe në film, ky shkrimtar i jashtëzakonshëm e pasqyron dominim i Rafael Leonidas Trujillo–së, diktatorit famëkeq të Republikës Dominikane. Cenet, marrëzitë, trillet dhe sjelljet e tij, të lemerisin edhe sot. Rrethi i tij i ngushtë gradualisht transformohet në lodër për apetitet e tij. Gratë e tyre shndërrohen në objekt të kënaqësive të tij orgjike.

Subjektin e romanit e dominon rrëfimi i Uranita Cabral, pas rikthimit në Santo Domingo. Ajo rikthehet për ta vizituar babain e saj të paralizuar Augustin Cabral, një ish-eksponent i lartë i regjimit të Trujillos.

Por motivi me i thellë i kësaj vizitë të Uranites, një avokate kjo, e cila për një kohë të gjatë kishte jetuar dhe vepruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbetet përpjekja për ta kuptuar  të vërtetën për traumat, dhimbjet dhe vuajtjet e saj. Ta gjurmojë  etiologjinë e tyre. Të çlirohet nga pesha ndrydhëse e fantazmave neurotike që e ndjekin që nga adoleshenca. Të ballafaqohet me burimin e fatkeqësisë së saj.

Prandaj, ajo vendos që pas tri dekadave ta "hetoi" vendin e origjinës së krimit. Dhe në rrëfim e sipër zbulohet e vërteta. Në fillim i ati i saj ishte një vartës i përulur i diktatorit Rafael Trujillo. Në këmbim të këtij shërbimi ai gëzonte privilegje, pushtet dhe pozitat më të larta shtetërore dhe politike në vend. Mirëpo, gremisja e tij fillon kur rrjedha e ngjarjeve merr një kthesë të befasishme dhe të papritur.

Ky shërbëtor i devotshëm i pushtetit merr guximin t’i kërkojë sundimtarit llogari për torturimin dhe vrasjen mizore të motrave Mirabal nga policia sekrete e tij. Siç dihet persekutimi dhe eliminimi i këtyre aktivisteve për të drejtat njeriut, të cilat ishin kundërshtare të regjimit në fuqi, shkakton një jehonë ndërkombëtare. I nevrikosur, xhindosur dhe lënduar në sedër nga ky guxim i tepruar i Augustin Cabralit, diktatori Trujillo i njohur me pseudonimin “Dhia” e fillon torturimin gradual të Cabralit. Hap pas hapi e zhvesh nga pushteti. I tregon se të mirat që i ka gëzuar deri me tani kanë qenë dhuratë për shkak të nënshtrimit, lojalitetit të verbër dhe jo nga ndonjë vlerë tjetër. E shndërron në hiç. Pa relevancë politike dhe publike. E izolon totalisht. Kjo jetë e re shkretane që i përngjason një të përhumburi në humnerë, bëhet e padurueshme për ish-eksponentin e regjimit. E papërballueshme. Siflitëse dhe tmerruese.

Prandaj Augustin Cabral kërkon me çdo kusht ta rifitojë  dashurinë e humbur të liderit. I fillon përpjekjet për këtë aventurë. Mirëpo, kushti i rikthimit në lartësitë e Olimpit politik është i tmerrshëm. E bija e tij adoleshente duhet të bëhet peshqesh për një natë për manitë seksuale të Trujillos. Augstin Cerbral pajtohet me këtë ofertë. E pranon dhunimin e vajzës vetëm që ta ripërvetësojë namin e nëpërkëmbur. 

Ky rrëfim mbase më mirë se asgjë tjetër, tregon se deri në çfarë shkallë është në gjendje të shkojë njeriu për shkak varësisë patologjike ndaj liderit dhe pushtetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco