Ekspozohen për herë të parë dokumente të arkivit të ish-Sigurimit të Shtetit, mbi revoltën e Spaçit dhe dosjet hetimore të të përndjekurve politikë. Ish-të përndjekurit që kanë vuajtur dënimin në burgun famëkeq, ngrenë si shqetësim mungesën e fondeve për kërkimin e trupave të rreth 4 mijë të zhdukurve, ndërsa familjarë të të përndjekurve politikë, bëjnë thirrje për dënimin e krimeve të komunizmit.
Nga SYRI TV
Pas 50 vitesh nga revolta e Spaçit, janë ekspozuar për herë të parë dokumente të arkivit të ish-Sigurimit të Shtetit, mbi revoltën dhe dosjet hetimore – gjyqësore të pesë grupeve që u ridënuan pas saj. Teksa ndajnë përjetime dhe dëshmi personale, ish-të përndjekurit që kanë vuajtur dënimin në burgun famëkeq të Spaçit, ngrenë si shqetësim mungesën e fondeve për kërkimin dhe gjetjen e trupave të rreth 4 mijë të përndjekurve politikë, që ende janë të zhdukur.
Edhe familjarë të të përndjekurve politikë, bëjnë thirrje për dënimin e krimeve të komunizmit.
Nëndrejtori i përgjithshëm i burgjeve, Femi Sufaj foli mbi rëndësinë e hapjes së këtyre dosjeve.
Revolta e Spaçit përbën një pikë kulmore në historinë e qëndresës antikomuniste dhe lëvizjes për liri e demokraci, ndaj është e rëndësishme zbardhja e historisë së ngjarjes, personave që u përfshinë në të dhe gjithë vlerave kombëtare që përcjell për ndërgjegjësimin e brezave mbi të shkuarën e vendit.
© SYRI.net