Krijimtaria letrare e dy prej poetëve të anatemuar nga regjimi famëkeq është botuar përmes vëllimit "Kur bota ish në gjumë". Tashmë Vilson Blloshmi e Genc Leka, që diktatura ua shkatërroi ëndrrat para syve, do të lexohen nga brezat e rinj.
“Libri është i pajisur me shpjegime të poezisë që do ta ndihmojnë lexuesin, e sidomos nxënësin për ka kuptuar thellë poezinë 'Blloshmi' dhe 'Leka' e ta nxisin mendimin krijues nëpër shkolla sepse kështu mund t'i ndihmojmë fëmijët," shprehet drejtoresha e dokumenteve të ish-sigurimit të shtetit Gentiana Sula.
I pranishëm në përkujtimin e figurave të ndriturave të poetëve ishte dhe Presidenti i Republikës, që u shpreh se shqiptarët duhet të mësojnë e të reflektojnë për kohët që i ndan, në ata dhe në ne.
“Ditë si këto shërbejnë si mundësi për ti thënë të vërtetat e historisë, veçanërisht brezit të ri. Ne kemi detyrimin qytetar të nxjerrim prej saj mësimet e duhura” shprehet presidenti i Republikës Bajram Begaj.
Është e rëndësishme të njihet historia, vrasjet e komanduara dhe martirët që s'kanë një varr. Enerjeta Blloshmi, vajza e Vilson Blloshmit thotë se vëllimet poetike i përjetësojnë ata.
“Ne i njohëm baballarët tanë përmes poezive. Ato janë mënyra më e shkëlqyer për të shprehur vetveten. Kanë kaluar shumë vite dhe ato nuk janë mes nesh por kujtimi i tyre, poezitë e tyre i kanë bërë ata të pavdekshëm”, ka thënë Enerjeta Blloshmi, vajza e Vilson Blloshmit.
Pas tri dekadash, përveç përfshirjes në kurrikulën shkollore është e udhës të ndërtohet një muze për të përkujtuar idhtarët e lirisë.
© SYRI.net