'Gjuhës shqipe i ka rënë fati të ballafaqohet me gjuhë të fuqive dominuese të kohës'

'Gjuhës shqipe i ka rënë fati të ballafaqohet me gjuhë të fuqive dominuese të kohës'

14:00, 10/01/2023
Shkruan Blerim Latifi:

Gjatë historisë gjuhës shqipe i ka rënë fati të ballafaqohet me gjuhë të ndryshme, që kryesisht ishin gjuhë të fuqive dominuese të kohës. Krejt në fillim ishte ballafaqimi me latinishten romake. Një pjesë e konsiderueshme e leksikut të sotëm të shqipes na vjen nga ajo kohë.
Pastaj erdhën shekujt e dominimit bizantin. Edhe ata lanë gjurmët leksikore në gjuhën shqipe. E kur Bizanti humbi kontrollin mbi Ballkanin, fuqitë jetëshkurtëra bullgare e serbe bënë të njëjtën gjë.
Po ashtu edhe sundimi i gjatë osman që erdhi pas tyre. Por, përkundër kësaj historie të gjatë të hegjemonive që zëvendësonin njëra-tjetrën, shqipja mbijetoi.
Ku qëndron shkaku?
Gjuhëtarët thonë se një gjuhë përbëhet nga tre përbërës kryesorë: sintaksa, fonologjia dhe leksiku. Derisa dy të parët përbëjnë armaturën e gjuhës, i treti përbën llustrën e saj. Kjo do të thotë se leksiku vazhdimisht është nën presionin e ndryshimeve që vijnë nga gjuhët dominuese. Por kjo nuk e rrezikon ekzistencën e një gjuhe. Rreziku shfaqet atëherë fonologjia e një gjuhe fillon e shkrihet në fonologjinë e një gjuhe tjetër, ndërsa kur sintaksa e saj filllon të çrregullohet e të mosfunksionojë, atëherë gjuha hyn në procesin e vdekjes klinike.
Shqipja nuk e ka pasur këtë fat sepse ndikimi i gjuhëve të tjera nuk ka shkuar përtej rrafshit të leksikut, duke i lënë pothuajse të paprekura dy rrafshet kryesore, sintaksën dhe fonologjinë.
Sot ne po jetojmë në një ballafaqim tjetër gjuhësor të shqipes: ballafaqimin me gjuhën e globalizimit, anglishten. Si rezultat i kësaj, tek gjeneratat e reja të shqiptarëve, ka marrë jetë një variant i të folurit që mund të quhet "anglo-shqipe". Dy vajzat, të cilat dy ditë më parë u bënë temë diskutimi në rrjetet sociale për faktin se shpreheshin në një të folur gjysmëshqip e gjysmëanglisht, paraqesin vetëm dy shembuj tregues të këtij zhvillimi të ri në ekzistencën e gjuhës shqipe.
A do t'ia bëjë anglishtja gjuhës shqipe atë që nuk ia bënë dot latinishtja romake, greqishtja bizantine dhe turqishtja osmane, pra prishjen e sintaksës- kjo nuk mund të thuhet tash për tash. I mbetet të ardhmes ta tregojë përgjigjen. Sigurisht një pjesë e saj varet nga mënyra se si vetë shqiptarët do të sillen me gjuhën e tyre.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco