Epoka e ego-politikës, Elon Musk dhe fuqia e gjigantëve të teknologjisë

Epoka e ego-politikës, Elon Musk dhe fuqia e gjigantëve të teknologjisë

19:42, 29/10/2022

JULIAN RINGHOF

Gjigantët e teknologjisë kanë zënë një rol qendror në luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe në dinamikën gjeopolitike në përgjithësi. Më i zhurmshmi nga këta është sipërmarrësi gjenial Elon Musk, që e ka përqafuar me entuziazëm këtë rol, duke tërhequr një vëmendje të madhe me mendimet e shprehura mbi konfliktin.

Pjesa më e madhe e kësaj vëmendje kohët e fundit kishte të bënte me një bisedë me presidentin rus Vladimir Putin - pretendim të cilin Musk e mohon me forcë - e pasuar nga një sondazh që kreu vetë sipërmarrësi përmes Twitter-it mbi idetë e tij për t’i dhënë fund luftës.

Ato nuk përfshinin pikën që Ukraina të rifitojë integritetin e saj territorial. S’ka nevojë të thuhet se sondazhi shkaktoi një reagim të ashpër nga qeveria e Ukrainës dhe aleatët e saj perëndimorë, ndërsa u vlerësua nga Kremlini. Disa media duke analizuar këtë dhe rolin e rëndësishëm të Musk në shërbimin e internetit në Ukrainë, shkuan aq larg sa që sugjeruan se ai mund të diktonte rezultatin e luftës.

Që nga muaji mars, Musk ka angazhuar mijëra antena interneti satelitore SpaceX Starlink në ndihmë të Ukrainës. Ato kanë rezultuar jetike për qeverinë e Ukrainës për të zhvilluar fushatën e saj të komunikimit dhe për ushtrinë e vendit, e cila i përdor ato për të transmetuar të dhënat e inteligjencës, dhe për të kryer sulmet me dron.

Por, pas bisedës së supozuar të Musk me Putinin, trupat ukrainase në front raportuan ndërprerje drastike të punës së sistemit SpaceX Starlink. Po ashtu Musk kërcënoi të ndërpriste funksionimin e Starlink në Ukrainë, përpara se të tërhiqej nga kjo qasje.

Por sa vendimtar mund të jetë realisht roli i Musk në këtë luftë? Dhe si mund ta parandalojë Perëndimi që ai të bëhet një aktor gjeopolitik? Në fakt, duke pasur parasysh dinamikën e sotme gjeopolitike, këto pyetje vlejnë në mënyrë të barabartë për rolet dhe interesat e të gjithë gjigantëve të teknologjisë globale, dhe drejtuesve të tyre shpeshherë të çuditshëm.

SpaceX nuk ishte kompania e parë teknologjike, që luajti një rol vendimtar në këtë luftë. Vetëm disa orë përpara se trupat e Putinit të nisnin pushtimin e Ukrainës, Qendra e Inteligjencës së Kërcënimeve e kompanisë Microsoft, zbuloi një lloj të ri virusi (malware) të dëmshëm - të quajtur FoxBlade - që ishte krijuar enkas për të fshirë të dhënat nga sistemet kompjuterike të qeverisë ukrainase dhe institucioneve të saj financiare. Microsoft veproi me shpejtësi duke e bërë malware-in të padëmshëm, i informoi menjëherë autoritetet ukrainase dhe kontaktoi Shtëpinë e Bardhë për të vendosur mbi masat shtesë.

Po të mos ishte për Microsoft-in, qeveria ukrainase do të ishte penguar shumë në koordinimin e reagimit të saj ndaj sulmit hibrid të Rusisë. Për më tepër, virusi mund të ishte përhapur lehtësisht nëpër sistemet e aleatëve evropianë të Ukrainës. Po ashtu, platformat dixhitale amerikane janë bërë fushëbeteja qendrore e luftës informative të Rusisë.

Në Evropë dhe SHBA, por edhe në të ashtuquajturin jugun global, gatishmëria dhe aftësia e Meta, Twitter, TikTok dhe platformave të ngjashme për të identifikuar dhe kufizuar fushatat globale të dezinformimit të Kremlinit - qoftë mbi shkaqet e rritjes së çmimeve të ushqimeve, apo se kush ë shtë  fajtor për luftën - diktojnë ndjenjat dhe reagimet ndaj luftës. Prandaj, këto platforma dixhitale dhe politikat e tyre, janë një faktor gjeopolitik me shumë peshë.

Sigurisht, kompanitë private, kanë qenë forca vendimtare gjeopolitike shumë përpara shekullit XXI-të. Transformimi i shpejtë nga prodhimit i makinave Ford në ndërtimin e avionëve bombardues dhe tankeve gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe Kompania e Indisë Lindore si një agjent vendimtar i imperializmit britanik, janë vetëm dy shembuj.

Por shtrirja e këtyre kompanive nuk i ka kapërcyer asnjëherë aq shpejt kufijtë dhe një në mënyrë gjithëpërfshirëse sa në botën e sotme të ndërlidhur. Por ndonëse nënvlerësimi i rolit të gjigantëve të teknologjisë në gjeopolitikën e sotme mund të jetë i gabuar, edhe mbivlerësimi i tij do të ishte po aq i padobishëm.

Ai që supozohej të ishte një rol vendimtar i Musk në sukseset e Ukrainës për shkak të Starlink, është një shembull i mirë i kësaj nevoje për të pasur një qasje më të nuancuar.

Po sikur Musk të vendosë të ndalojë ofrimin e shërbimit të Starlink në Ukrainë?

Apo më keq, t’ia ofrojë këtë teknologji Rusisë? Përgjigja për pyetjen e dytë është shumë e thjeshtë: ai nuk mund ta bëjë këtë. Sanksionet e gjera teknologjike të Perëndimit ndaj Rusisë, ndalojnë eksportin e pothuajse çdo malli që mund të përfundojë me ushtrinë ruse (apo bjelloruse).

Dhe nuk ka rëndësi nëse këto janë antena interneti Starlink, mikroçipa, lapsa apo furça dhëmbësh. Sa i përket ndërprerjes së shërbimit Starlink me Ukrainën për arsye ekonomike, Musk duket se e ekzagjeron rolin e kompanisë së tij në financimin e këtyre shërbimeve. Sepse 85 për qind e antenave dhe 30 për qind e kostove të lidhjes mbulohen nga vende si SHBA dhe Polonia, apo nëpërmjet financimit të njerëzve të thjeshtë  përmes fushatave dhe donacioneve private.

Por ekzagjerimi i rolit të tij, nënkupton se ai do të përballej me një reagim të madh nëse do të tërhiqte fondet. Prandaj duket se Musk po e përdor rolin e tij dhe të Starlink për të drejtuar vëmendje drejt tij: si për të rritur vlerën e kompanisë së tij, po ashtu edhe për të kënaqur egon e tij.

Atëherë çfarë duhet të bëjnë Perëndimi dhe BE-ja në këto kushte? Musk nuk duhet të lejohej të merrte vendimin për të furnizuar Ukrainën me Starlink. Qeveritë perëndimore duhet të blejnë dhe sigurojnë vetë teknologji të tilla për aleatët e tyre. Kjo nënkupton ose ndërtimin e partneriteteve gjithëpërfshirëse me kompani private të besuara - alternativat ndaj Starlink ekzistojnë - ose zhvillimin e zgjidhjeve publike.

Për shembull, pak përpara pushtimit të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës, BE-ja miratoi planet për ndërtimin e sistemit të tij lidhjes së internetit me bazë satelitore. Ajo duhet ta zhvillojë këtë sistem jo vetëm për të siguruar komunikime dhe për të mbrojtur infrastrukturën kritike brenda unionit, por edhe për të ofruar qasje të pandërprerë në internet për aleatët në rastet e konfliktit.

Për më tepër, politikë-bërësit kanë shumë përpara për të siguruar që aktorët e fuqishëm të sektorit privat të mos i minojnë objektivat e tyre, që regjimet e sanksioneve të jenë të përshtatshme për shekullin XXI-të. Nuk ka dyshim se sanksionet teknologjike të Perëndimit kundër Rusisë kanë efekte drastike mbi ekonominë e saj dhe kompleksin ushtarako-industrial rus.

Inflacioni në vend është më shumë se 50 për qind në sektorin e teknologjisë. Në dronët rusë po zbulohen mikroçipat e frigoriferëve dhe pjatalarëseve. Dy nga prodhuesit e mëdhenj të automjeteve të blinduara në Rusi janë detyruar të ndërpresin prodhimin.

Ndërkohë prodhimi i raketave balistike hipersonike është pezulluar për shkak të mungesës së pjesëve që importohen nga jashtë. Megjithatë, Rusia po angazhohet në blerjen e paligjshme të tyre. Prandaj SHBA-ja, Evropa dhe partnerët e tyre duhet të bëjnë një përpjekje edhe më të madhe për të luftuar shmangien e sanksioneve, dhe të shtojnë presionin mbi sektorin privat që të bëjë të njëjtën gjë.

Kjo është e nevojshme tani gjatë luftës aktuale, dhe mund të jetë akoma më shumë në konfliktet e ardhshme. Në një kohë kur ka një përdorim në rritje të teknologjive dixhitale si një armë në konfliktet gjeopolitike, qeveritë duhet të kuptojnë më mirë interesat dhe rolet e kompanive të teknologjisë në zhvillimet gjeopolitike. Nga ana e tyre, kompanitë e teknologjisë duhet të kuptojnë më mirë dhe të kenë një ndjenjë më të madhe përgjegjësie në lidhje me rolin e tyre në gjeopolitikë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco