Mbi 800 mijë vizita u bënë në lokacionet e Manifesta 14 në Prishtinë

Mbi 800 mijë vizita u bënë në lokacionet e Manifesta 14 në Prishtinë

15:25, 28/10/2022

Mbi 800 mijë vizita i janë bërë lokacioneve të Manifestës gjatë 100 ditëve në Prishtinë.

Në konferencën përmbyllëse të Manifesta Bienalja 14 u tha se përmes saj, Prishtina u kthye në qendër kulturore në Evropës dhe botë.

Kjo sipas kryetarit të komunës së Prishtinës, Përparim Rama, solli një imazh të ri kulturor për kryeqytetin, i cili shton përgjegjësinë insitucionale për të vazhduar tutje.

“Për herë të parë, falë punës së mrekullueshme të ekipit fantastik të Manifestës dhe ndihmës së pakursyer të kryeqytetit, Prishtina zuri vëmendjen e mediave botërore. Tash jo për makiatot më të mira në botë, as për narrativen e një qyteti të pasluftës, por për potencialin e jashtëzakonshëm për të krijuar dhe qenë pikë e rëndësishme në skenën kulturore evropiane dhe botërore. Ky imazh i ri i kryeqytetit, jo vetëm se na ndërron, por na shton përgjegjësinë institucionale për të vazhduar me të njëjtit hapa për të konservuar atë çka u arrit bashkë me Manifestën dhe për të marrë si shembull për punë të tjera konkrete që na presin tash e tutje”, tha ai.

E lumtur me të arriturat e Manifesta 14 në Prishtinë, u shpreh edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, raporton KP.

Derisa paraqiti shifrat për numrin e vizitorëve, ajo tha se Manifesta ka pasur rol edhe ekonomik, përveç atij kulturor.

“Manifesta shumë shpejtë do të dal me shifra zyrtare, por në bazë të këtyre preliminare që i kemi në total janë mbi 800 mijë vizita që janë bërë lokacioneve të Manifestës, duke përfshirë 150 mijë në hapësira të mbyllura dhe rreth 700 mijë të intervenimeve publike. Që të dyja vizitorët kanë pasur mundësinë të shohin art bashkëkohor të kalibrit botëror”, shtoi Osmani.

Ndërkaq, nga Manifesta, Hedwig Fijen, tha se shpreson që të ketë edhe investime përcjellëse nga institucionet në punimet e tyre.

Ajo nënvizoi se vetëm infrastruktura e mirë urbane do t’i tërheq turistët dhe investitorët në Prishtinë.

“Duhet gjendur një mënyrë për t’i ruajtur të gjitha këto në një vend. Pastaj, rilindja, fabrika e tubave, shpresojmë se do të vazhdojnë të qëndrojnë në ato hapësira, gjithashtu hamami do të ketë hapësira në të ardhmen në kuadër të ekosistemit të rigjallëruar. Gjithashtu kemi pasur intervenime urbane, pasi Manifesta është një përvojë kolektive. Jam tepër krenare për punën dhe gjithë kolegët që kemi bashkëpunuar”, tha ajo

Manifesta 14 organizoi 346 turne apo guida të ndërmjetësuara në të gjithë qytetin, duke prezantuar mënyrat e reja për publikun.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco