Këngëtarja e njohur ruse dënon luftën e Rusisë në Ukrainë

Këngëtarja e njohur ruse dënon luftën e Rusisë në Ukrainë

20:01, 19/09/2022

Këngëtarja e njohur ruse, Alla Pugacheva, u ka bërë thirrje autoriteteve ruse që ta shpallin atë “agjente të huaj”.

E gjitha ka ardhur në solidaritet me bashkëshortin e saj, Maxim Galkin.

Po ashtu një yll i showbiz-it, ai u etiketua si “agjent i huaj” pasi dënoi fuqishëm sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Në rrjetet sociale, Pugacheva e quajti burrin e saj “një patriot të vërtetë të pakorruptueshëm rus, i cili dëshiron t’i jepet fund djemve tanë që vdesin për qëllime iluzionistë”.

Sipas saj, këto qëllime të Kremlinit në Ukrainë “e bëjnë jetën e qytetarëve tanë jashtëzakonisht të vështirë”.

Ajo ka vijuar se Galkin, komedian, prezantues televiziv dhe këngëtar, donte “prosperitet për atdheun e tij, paqe, fjalë të lirë”.

Etiketimi “agjent i huaj” është aplikuar nga qeveria ruse për organizata të ndryshme mediatike, grupe fushatash dhe individë që kritikojnë hapur politikat e Kremlinit.

Pugacheva dhe Galkin shkuan në Izrael në fund të marsit, një muaj pas pushtimit rus, dhe Pugacheva u kthye në Rusi në fund të muajit të kaluar me fëmijët e saj.

Në fillim të shtatorit, zëdhënësi i Presidentit Vladimir Putin, Dmitry Peskov ka thënë për Galkin se “ai ka bërë deklarata shumë të këqija”.

Galkin dënoi mizoritë e supozuara të trupave ruse dhe ka thënë se nuk mund të kishte asnjë justifikim për pushtimin e Ukrainës.

Rusia ka deklaruar se po lufton neo-nazistët në Ukrainë – një pretendim i hedhur gjerësisht – dhe se ajo është e kërcënuar nga marrëdhëniet e forta të aleancës së NATO-s me Ukrainën.

Që nga pushtimi më 24 shkurt, OKB-ja ka regjistruar të paktën 5 mijë e 718 vdekje civile, me 8 mijë e 199 të plagosur, dhe më shumë se shtatë milionë ukrainas janë regjistruar si refugjatë në të gjithë Evropën.

Numri aktual i viktimave të civilëve besohet të jetë mijëra më i lartë. Dhjetëra mijëra luftëtarë janë vrarë ose plagosur.

“BBC”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco