Thirrje e Ilir Metës në Ditën Botërore të Teatrit: Të mos lejojmë më, ringjalljen e ‘kazmave të diktaturës’

Thirrje e Ilir Metës në Ditën Botërore të Teatrit: Të mos lejojmë më, ringjalljen e ‘kazmave të diktaturës’

19:26, 27/03/2022

Me pamjet dramatike të shembjes së godinës historike të Teatrit Kombëtar, natën e 17 majit 2020, Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot Ditën Botërore të Teatrit.

Ai ka gjetur rastin t’u shprehë mirënjohjen, të gjithë aktivistëve që luftuan për mbrojtjen e asaj godine dhe të vlerave që ajo mbartte dhe njëherësh i bëri thirrje qytetarëve për të mbrojtur vlerat, për të mos lejuar ringjalljen e “kazmave të diktaturës”, siç e ka cilësuar.

“Sot, në Ditën Botërore të Teatrit, - shkruan kreu i shtetit, -  u shpreh mirënjohjen më të thellë të gjithë artistëve jokonformistë dhe qytetarëve, të cilët me sakrifica dhe nën presione të pashembullta, edhe pse të tradhtuar, i dhanë zë me forcë kauzës së Teatrit Kombëtar dhe zgjuan ndërgjegjen shoqërore për rrezikun që kërcënon trashëgiminë kulturore kombëtare.

Të jemi më të vëmendshëm dhe më të ndërgjegjshëm për të mbrojtur vlerat kulturore dhe historike, për të mos lejuar më ringjalljen e kujtimeve të hidhura të kazmave të diktaturës, sepse çdo humbje është jo vetëm e parikuperueshme por edhe një cenim i drejtpërdrejtë i identitetit tonë kombëtar, që nuk duhet lejuar të ndodhë më,” thekson Presidenti.

Ishte Instituti Ndërkombëtar i Teatrit ose ITI që e caktoi 27 marsin, si Ditën Botërore të Teatrit në vitin 1961. Jean Cocteau ishte personi që shkroi mesazhin e parë të Ditës Botërore të Teatrit në vitin 1962. Që atëherë, Dita Botërore e Teatrit festohet çdo vit më 27 mars, datë e hapjes së sezonit të "Teatrit të Kombeve" në Paris.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco