In memoriam - SKËNDER RIZAJ (1930-2021)

In memoriam - SKËNDER RIZAJ (1930-2021)

23:14, 28/11/2021

Historian medievalist e osmanolog, profesor universiteti. Lind në Pejë, ku kreu shkollën fillore, në Prizren kreu Shkollën Normale, ndërsa studimet për histori i mbaroi në Universitetin e Shkupit (1956). Studimet pasuniversitare dhe të doktoratës i kreu në Universitetin e Sarajevës (1965). 

Ishte burgosur në moshë të mitur për aktivitetin e tij në grupin nacionalist të drejtuar nga Marije Shllaku e Bernard Llupi (1946). Karrierën edukative-pedagogjike e nisi si mësues në Pejë e rrethinë (1948-1952) dhe më pas si mësimdhënës i gjimnazit të Pejës (1956). 

Më 1961 nisi punë në Arkivin e Kosovës dhe më pas në degën e historisë të Fakultetit të Filozofisë në Prishtinë, ku punoi deri në vitin 1987. Ndërkohë bëri studime specializuese postdoktorale dhe hulumtime sistematike arkivore sidomos në arkiva dhe biblioteka të Londrës, Sarajevës, Tiranës, Beogradit dhe të Stambollit. Është autor i disa monografive shkencore, veçmas për periudhën osmane, si: “Xehetaria në Kosovë nga shek. XV-XVII” (1968), “Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII” (1982), “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1877-1885” (1998), “Gazetat turke dhe amerikane për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve” (1999), “Falsifikimet e historiografisë serbe” (2006), “Vilajetet shqiptare-Vilajeti i Kosovës (1864-1912)” (2008) etj. 

Është autor i tekstit universitar “Historia e përgjithshme, Koha e re I, 1453-1789” (1985), si dhe i disa teksteve për shkollat fillore. Ka botuar edhe disa vëllime dokumentesh nga arkivat turke dhe britanike: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze 1878-1881” (1978), “Dokumente angleze mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe fillimi e copëtimit të Ballkanit (1877-1885)” etj. 

Mori pjesë në shumë kongrese dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare dhe është autor i një sërë studimesh të botuara në gjuhë të ndryshme. 

Nga punimet e tij shkencore kanë tërhequr vëmendjen studimet “Mbi të ashtuquajturën dyndje e madhe serbe nga Kosova në krye me patrikun Arsenije Çarnojeviq, 1690”, botuar më 1983 në Prishtinë dhe “Përpjekja e kosovarëve për t’u çliruar në vitet 1689-1690”, botuar në Tiranë në të njëjtin vit. 

Është pensionuar para kohe, me urdhrin e pushtetit të atëhershëm (1987). Është bartës i një sërë mirënjohjesh dhe dekoratash. (Jahja Drançolli, Fjalori Enciklopedik i Kosoves).

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco