Abdullah Karjagdiu (1936-2021)

Abdullah Karjagdiu (1936-2021)

20:25, 28/08/2021 Nga Mehmet Kraja

Profesor, autor, përkthyes. Lindi në Prizren. U diplomua në Gjuhë e Letërsi Angleze në Beograd (1961), magjistroi në Universitetin e Zagrebit (1971), ndërsa doktoroi në Universitetin e Prishtinës (1975).

Një kohë punoi mësimdhënës i anglishtes, frëngjishtes dhe shqipes në shkollat e mesme të Prizrenit, pastaj në të përditshmen “Rilindja”. Ishte ligjërues i anglishtes dhe frëngjishtes në Fakultetin Juridik-Ekonomik të UP-së ndërsa nga viti 1972 ligjërues e profesor i letërsisë angleze e amerikane, letërsisë së krahasuar dhe botërore, teorisë dhe praktikës së përkthimit etj. në Universitetin e Prishtinës ku më 2003 mori titullin profesor emeritus.

Ka dhënë mësim në Universitetin e Stambollit, të Tetovës dhe në disa universitete private. Ka botuar “Historia e gazetarisë” (1963), “Shekspiri në gjuhën shqipe” (1972), “Bajroni dhe shqiptarët” (1975), “Si të përkthejmë” (1975), “Bilinguizmi si problem botëror” (1976), “Ç’është kritika letrare?” (1977) “Me Konicën në Evropë” (1993), “Hyrje në studimet angleze” (anglisht, 1996), “Një pasqyrë e letërsisë angleze” (anglisht, 2005), “Shkrimi akademik” (anglisht 2007). Ka përkthyer “Autobiografia” e Nolit (nga anglishtja), “Historia e shkurtër e Shqipërisë” (nga rusishtja) të Senkejeviç dhe të tjerë, Skënderbeun e Paganelit (nga frëngjishtja), “Shqipëria, kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore” të Konicës, “Kosova një histori e shkurtër” të Malkolmit si dhe një sërë romanesh, dramash, tregimesh e poezish nga autorë të ndryshëm botërorë. (Fjalori Enciklopedik i Kosovës)
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco