Ndahet nga jeta 89 vjeçe, solistja e parë e Ansamblit Popullor, Lili Këlliçi

Ndahet nga jeta 89 vjeçe, solistja e parë e Ansamblit Popullor, Lili Këlliçi

12:42, 03/08/2021

Me hidhërim të thellë Teatri i Operas dhe Baletit njoftoi se është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare solistja e parë e Ansamblit Popullor - Lili Këlliçi.

Lili Këlliçi është një ndër të parat balerina që jetën e vet artistike e lidhi me botën e artit koreografik, duke filluar me grupin e valleve në Shtëpinë e Pionierit Tiranë, në Filarmoninë shqiptare, në Estradën e Shtetit dhe në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.

Lili Këlliçi lindi në 2 Qershor 1932 në Tiranë. Që në fëmijëri ajo tregoi dhunti në artin e kërcimit dhe e filloi jetën e saj artistike që në moshën 13 vjeçare në Shtëpinë e Pionierit, ku u aktivizua me grupin e valleve. Fal pasionit dhe punës me grupin e valleve emërohet valltare në Filarmoninë e Shtetit, ku mori pjesë në premierat e para të Filarmonisë si “Flamuri i Paqes”, Shatrivani i Bahçisarajt”,“Esmeralda”, apo edhe në vallet e operave “Rusallka”, “Ivan Susanin”, operetën “Agimi”, etj.

Ka marrë pjesë në shumë turne, festival të rinisë botërore në Hungari e Gjermani, në koncerte të trupës jashtë atdheut, ku është dalluar për nivelin e lartë të interpretimit. Në vitin 1957, kur u themelua “Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore”, Lili do të emërohej si një nga dy solistet e para të grupit të valleve dhe për 15 vite rresht interpretoi me mjeshtri e origjinalitet në pjesën më të madhe të valleve, në skena të ndryshme të vendit, por edhe jashtë Shqipërisë, ku shkëlqeu me elegancën, elasticitetin dhe frymën shpirtërore që i dha valles shqiptare.

Ajo shkëlqeu me interpretimin brilant të valleve popullore, nga jugu në veri duke krijuar një figurë të veçantë artistike në vallet si: “Vallja e vajzave të Tropojës”; Vallja e Dardhës”, ”Vallja e Dibrës”, ”Dropullitja”, ”Potpuri tiranase”, “Vallëzimi i shqipeve”, etj. Figura e Lilit do të ketë vendin e saj të padiskutueshëm në TKOBAP, në artit koreografik shqiptar. Për gjithë veprimtarinë e saj artistike, ajo është vlerësuar me titullin “Naim Frashëri”.

Në emër të drejtuesve dhe artistëve, TKOBAP i shprehu ngushellime familjes e miqve të artistes së madhe, Lili Këlliçi: ".I përjetshëm qoftë kujtimi i saj, për kontributet e mëdha që kjo artiste i la skenës dhe artit koreografik shqiptar."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco