Si sot ndërroi jetë Mid’hat Frashëri, një ndër kundërshtarët më të mëdhenj të Partisë Komuniste

Si sot ndërroi jetë Mid’hat Frashëri, një ndër kundërshtarët më të mëdhenj të Partisë Komuniste

07:41, 03/10/2020

Më 3 tetor 1949 ka ndërruar jetë,  politikani, diplomati dhe shkrimtari Mid’hat Frashëri (25 mars 1880- 3 tetor 1949).

Mid'hat Frashëri, i njohur gjithashtu me emrin Lumo Skëndo, lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Djali i Abdyl Frashërit, ishte një diplomat, shkrimtar dhe politikan shqiptar. U rrit në Stamboll, ku familjarët e tij punonin në administratë dhe organizonin lëvizjen kombëtare.

Në rininë e tij ishte nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i Rilindjes Kombëtare dhe pjesëmarrës dhe kryetar i Kongresit të Manastirit. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë qe ministër, diplomat i shtetit shqiptar, kryetar i Ballit Kombëtar dhe Komitetit "Shqipëria e Lirë". Në botën e letrave dha kontributin e tij si publicist, shkrimtar, përkthyes dhe albanolog.

Pas kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, u largua fillimisht në Itali dhe më pas në Zvicër, ku u vendos në Gjenevë. Nga mesi i Luftës së Parë Botërore, autoritetet rumune e internuan në Moldavi por më 23 mars 1918 arriti të lirohej dhe u vendos prapë në Bukuresht, si delegat i qeverisë së dalur nga Kongresi i Durrësit. Në janar 1923 kreu detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë deri deri në dhjetor të vitit 1925.

Mid’hat Frashëri ishte një ndër kundërshtarët më të mëdhenj të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe nuk i ngeli rrugëzgjidhje tjetër përveç se të largohej nga Shqipëria në vitin 1944 dhe të zhvendosej në Amerikë. Megjithëse Frashëri ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës Shqiptare të Pavarësisë në 1912, komunistët, pasi morën pushtetin në 1945, fshinë emrin e tij nga dokumentet zyrtare.

Në mërgim, në vitin 1946, ai shkruan një letër në të cilën shpreh gjithë zhgënjimin e tij mbi sistemin e ri politik dhe kërkon ti hapi sytë bashkë atdhetarëve të tij në Amerikë se ky regjim ishte një “Kolerë që shkatërron shpirtin”. Për të, mos ekzistenca e komunizmit do ta kishte kthyer Shqipërinë në vendin më të qetë e të pa dëmtuar të Evropës. Ndërroi jetë në New York, SHBA në vitin 1949.

Mbas çlirimit të Shqipërisë, një nga objektet e sekuestruara nga pasuritë e Mid'hat Frashërit ishte edhe biblioteka e tij personale. Sot rreth 40,000 vëllime të kësaj biblioteke ruhen në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Në Ditën Botërore të Librit, biblioteka Kombëtare e Shqipërisë jep çdo vit Çmimin Kombëtar të Bibliofilisë “ Lumo Skëndo”.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco