Bayerni ka siguruar të ardhmen e një prej talentëve të akademisë së tij, duke rinovuar kontratën me mesfushorin 17-vjeçar Erblin Osmani.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi bavarez, i cili konfirmoi se Osmani do të vazhdojë të jetë pjesë e Bayernit edhe në vitet e ardhshme (deri në vitin 2029). Kontrata e re do të shndërrohet automatikisht në një marrëveshje profesionale sapo futbollisti të mbushë 18 vjeç.
Osmani, i lindur në Mynih, iu bashkua akademisë së Bayernit në vitin 2017, menjëherë pas hapjes së kampusit të klubit, pasi më parë aktivizohej me ekipin U9 të TSV Milbertshofen. Që prej atëherë ai ka kaluar në të gjitha grupmoshat e akademisë.
Sezonin e kaluar ai luajti fillimisht me ekipin U17, më pas u promovua te U19, ndërsa në muajin mars realizoi edhe debutimin me skuadrën e parë në Bundesligë. Trajneri Vincent Kompany i dha mundësinë të aktivizohej në fitoren 4-0 ndaj Union Berlinit në "Allianz Arena". Për sezonin e ardhshëm, Osmani pritet të jetë pjesë e ekipit U19, duke vazhduar procesin e zhvillimit drejt skuadrës së parë.
Drejtori i zhvillimit të të rinjve te Bayernit, Jochen Sauer, shprehu kënaqësinë për rinovimin e talentit 17-vjeçar.
"Erblini është një djalë nga Mynihu dhe një produkt i vërtetë i akademisë së Bayernit. Ai e ka bërë tashmë debutimin me skuadrën e parë dhe ne besojmë plotësisht te potenciali i tij për t'u zhvilluar edhe më tej. Jemi shumë të lumtur që ai do t'i hedhë hapat e ardhshëm të karrierës së tij së bashku me ne", deklaroi Sauer.
Rinovimi i kontratës është një sinjal i qartë i besimit që Bayerni ka ndaj Erblin Osmanit, i cili konsiderohet një nga mesfushorët më premtues të brezit të ri në akademinë bavareze.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: