Pep Guardiola mund të kishte qenë trajneri i kombëtares së Anglisë. Mediet britanike kanë zbuluar se Federata Angleze (FA) kishte arritur një marrëveshje verbale me teknikun katalanas gjatë vitit 2024, përpara se ai të vendoste të rinovonte kontratën me Manchester City-n.
Sipas ‘The Athletic’, FA e kishte zgjedhur Guardiolën si kandidatin kryesor për të marrë drejtimin e “Tre Luanëve” dhe palët kishin arritur një mirëkuptim. Megjithatë, gjithçka ndryshoi kur trajneri spanjoll vendosi të vazhdonte aventurën e tij me Manchester City-n.
Pas këtij vendimi, Federata Angleze u orientua drejt Thomas Tuchel-it, i cili aktualisht është në qendër të kritikave pas eliminimit të Anglisë nga Argjentina në gjysmëfinalen e Botërorit 2026. Mediet angleze kanë vënë në diskutim veçanërisht zgjedhjet taktike të gjermanit pas avantazhit të përkohshëm të ekipit.
Vetë Guardiola deklaroi sot se nuk planifikon të rikthehet së shpejti në pankinë, duke përjashtuar edhe zërat që e lidhnin me drejtimin e Italisë.
“Nga ana mendore nuk më mungon asgjë. Nuk mendoj se pas dy javësh apo një muaji do të rikthehem menjëherë në punë. Thjesht po përpiqem të kuptoj se si do të jetë jeta ime”, u shpreh trajneri katalanas.
Ndërkohë, e ardhmja e Thomas Tuchel-it tek Anglia mbetet e paqartë. Edhe pse trajneri ka deklaruar se dëshiron të vazhdojë në detyrë, presioni ndaj Federatës Angleze për një ndryshim është shtuar ndjeshëm.
Sipas kontratës së tij, FA kishte të drejtën ta shkarkonte vetëm në rast se Anglia nuk arrinte të paktën çerekfinalet, objektiv që u përmbush. Për këtë arsye, çdo vendim për të ardhmen e Tuchel pritet të merret vetëm pas përfundimit të Botërorit, pasi Anglia do të luajë fillimisht ndeshjen për vendin e tretë ndaj Francës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: