Jannik Sinner vazhdon të shkruajë historinë në tenis. Numri një i botës triumfoi për të dytin vit radhazi në Wimbledon, pasi mposhti në finale gjermanin Alexander Zverev me përmbysje, duke konfirmuar dominimin e tij në fushat me bar.
Finalja nisi më mirë për Zverevin, i cili fitoi setin e parë 7-6, duke përfituar edhe nga disa gabime të italianit në momentet vendimtare.
Megjithatë, reagimi i Sinner ishte i menjëhershëm. Kampioni italian barazoi rezultatin duke fituar setin e dytë, gjithashtu me rezultatin 7-6, në një duel spektakolar që mbajti të mbërthyer tifozët.
Momenti vendimtar erdhi në setin e tretë, ku Sinner ngriti ndjeshëm nivelin e lojës dhe dominoi me rezultatin 6-3, duke marrë kontrollin e plotë të finales.
Në setin e katërt, Zverev tentoi të rikthehej në garë, por italiani i rrëmbeu një game në shërbim kundërshtarit dhe administroi me qetësi avantazhin, duke e mbyllur setin 6-4.
Me këtë fitore, Jannik Sinner mbron titullin e Wimbledonit dhe ngre trofeun për të dytin vit radhazi në turneun më prestigjioz të tenisit në botë.
Ky është Grand Slami i pestë në karrierën e 24-vjeçarit italian, i cili vazhdon të mbajë vendin e parë në renditjen ATP dhe të konfirmohet si një nga tenistët më dominues të brezit të tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: