Liverpooli është pranë zyrtarizimit të një përforcimi të rëndësishëm për sezonin e ri. Klubi anglez ka vendosur të paguajë klauzolën e largimit prej 40 milionë eurosh të sulmuesit anësor, Victor Muñoz, i cili aktualisht është pjesë e Osasuna-s.
Sipas raportimeve nga mediet britanike, Liverpooli ka ndërmarrë tashmë hapat e fundit për finalizimin e marrëveshjes. Klubi ka dërguar një ekip mjekësor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Muñoz ndodhet me kombëtaren spanjolle në Botërorin 2026, për të kryer vizitat mjekësore.
Futbollisti 22-vjeçar, i cili debutoi me Spanjën në muajin mars, konsiderohet një lojtar i gjithanshëm, pasi mund të aktivizohet në të dy krahët e sulmit. Ai pritet të firmosë një kontratë gjashtëvjeçare me klubin nga “Anfield”.
Muñoz do të jetë blerja e parë e Liverpoolit që nga emërimi i trajnerit të ri Andoni Iraola, i cili mori drejtimin e skuadrës në fillim të këtij muaji, duke zëvendësuar Arne Slot.
Karriera e spanjollit ka kaluar nëpër akademi prestigjioze. Ai u formua fillimisht te Barcelona, në akademinë e famshme La Masia, ndërsa më pas u transferua te Reali. Me ekipin madrilen ai regjistroi vetëm dy paraqitje si zëvendësues, përpara se të kalonte te Osasuna në verën e vitit 2025.
Pavarësisht se Osasuna e mbylli sezonin 2025/26 vetëm pak vende mbi zonën e rënies nga kategoria, Muñoz ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Ai zhvilloi 34 ndeshje në La Liga, 31 prej tyre si titullar, duke shënuar gjashtë gola dhe duke dhënë dy asistime.
Liverpooli beson se talenti dhe potenciali i madh i 22-vjeçarit mund ta bëjnë atë një nga protagonistët e së ardhmes në Premier League, ndërsa transferimi pritet të zyrtarizohet menjëherë pas përfundimit të procedurave mjekësore.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: