Italia U-17 është shpallur kampione e Europës, pasi ka mposhtur Belgjikën U-17 pas penalltive në finalen e zhvilluar në Talin, në një ndeshje plot emocione që u mbyll 1-1 në kohën e rregullt.
Skuadra e drejtuar nga Daniele Franceschini siguroi trofeun e dytë radhazi në këtë kategori, duke konfirmuar dominimin e saj në futbollin e moshave. Belgët ishin më kërkues gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes dhe krijuan më shumë raste, duke rrezikuar disa herë portën italiane.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, me Belgjikën që kontrollonte topin dhe afrohej më shpesh te zona kundërshtare. Në pjesën e dytë, presioni i “Djajve të Kuq” u rrit edhe më shumë dhe në minutën e 85-të ata kaluan në avantazh me golin e Ojea Cobiella-s, i cili shfrytëzoi një aksion individual dhe mposhti portierin italian.
Megjithatë, Italia nuk u dorëzua. Në minutën e 88-të, pas një prekjeje me dorë në zonë, gjyqtari shqiptar Lata akordoi penallti për Italianë. Marcello Fugazzola u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 91-të, duke barazuar shifrat në 1-1 dhe duke e çuar finalen në penallti.
Në serinë e 11-metërshave, Lupo u bë protagonist duke pritur penalltinë e Cobiella-s. Edhe pse Rocca gaboi për Italinë, belgët nuk arritën të përfitojnë, pasi Moorthamer goditi traversën në momentin vendimtar.
Penalltia e fundit e realizuar nga Perillo vulosi triumfin e Italisë dhe shpërtheu festën e madhe të lojtarëve të Franceschini-t, të cilët pas një ndeshjeje të vështirë dhe shumë të luftuar u konfirmuan sërish kampionë të Europës U-17.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: