Autoritetet izraelite kanë ndaluar dy lojtare të kombëtares së femrave të Palestinës, një rast që ka shkaktuar reagime të forta dhe akuza për “shënjestrim sistematik” ndaj sportistëve palestinezë. FIFA tani përballet me thirrje në rritje për të ndërhyrë dhe për të marrë masa disiplinore.
Federata Palestineze e Futbollit ka dënuar arrestimin e “padrejtë” të Rand Al Halawani, 20 vjeçe, dhe Natalie Abu Dayyeh, 21 vjeçe, të cilat kanë përfaqësuar Palestinën në nivele ndërkombëtare si në ekipet e moshave ashtu edhe në përfaqësuesen A.
Sipas raportimeve të medieve lokale, Abu Dayyeh u arrestua gjatë një operacioni të forcave izraelite në një rezidencë studentore pranë Universitetit Birzeit, në Bregun Perëndimor të pushtuar. Ajo është studente e gazetarisë dhe gjithashtu aktiviste sportive, duke luajtur për klubin Diyar Women.
Ndërkohë, Al Halawani u ndalua më pas pasi ishte thirrur në stacionin policor Talpiot në Jeruzalemin Perëndimor. Sipas agjencisë palestineze Wafa, një gjykatë izraelite ka vendosur zgjatjen e ndalimit të saj deri të premten e ardhshme.

Federata Palestineze theksoi se të dyja lojtaret janë sportiste të reja që kanë përfaqësuar me krenari vendin e tyre në arenën ndërkombëtare dhe se arrestimet e tyre janë pjesë e një “praktike të dokumentuar të shënjestrimit sistematik të sportistëve palestinezë”.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se sportistët palestinezë përballen shpesh me kufizime të lëvizjes, mungesë sigurie dhe pengesa për të marrë pjesë në sport në kushte të barabarta, në kundërshtim me parimet e FIFA-s për mosdiskriminim dhe të drejtën për të luajtur.
Federata ka bërë thirrje që FIFA dhe komuniteti ndërkombëtar i sportit të marrin masa konkrete disiplinore për të adresuar këto shkelje të vazhdueshme.
Situata në Bregun Perëndimor mbetet e tensionuar, me rritje të operacioneve ushtarake izraelite që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor të vitit 2023, duke thelluar edhe më tej krizën humanitare dhe politike në rajon.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: