Beshiktashi i jep besim Vincenzo Italiano-s, por në fokus edhe e ardhmja e Asllanit

Beshiktashi i jep besim Vincenzo Italiano-s, por në fokus edhe e ardhmja e Asllanit

09:54, 05/06/2026

Beshiktashi është shumë pranë një ndryshimi të madh në pankinë, teksa sipas raportimeve nga Turqia, trajneri italian Vincenzo Italiano, pritet të zbarkojë sot në Stamboll për të finalizuar marrëveshjen me klubin e njohur turk.

Sipas mediave turke “A Spor” dhe “Fanatik”, 48-vjeçari do të mbërrijë në orët e para të pasdites për një takim vendimtar me presidentin e klubit, Serdal Adali. Palët kanë arritur një akord paraprak për një kontratë dyvjeçare, e vlefshme deri në vitin 2028, ndërsa firma zyrtare mund të vijë shumë shpejt.

Italiano pritet të marrë drejtimin e një Beshiktashi që sezonin e fundit e mbylli në vendin e katërt në kampionatin turk dhe që synon të rikthehet në garën për titull.

Në këtë klub aktivizohen edhe dy emra të njohur për publikun shqiptar dhe jo vetëm: Milot Rashica dhe Kristjan Asllani. Rashica është pjesë e rëndësishme e skuadrës turke dhe vazhdon të ketë rol të rregullt në repartin ofensiv, ndërsa Asllani ndodhet aty në formë huazimi nga Interi.

Për mesfushorin shqiptar, situata mbetet e hapur, pasi Beshiktashi duhet të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me të ardhmen e tij dhe nëse do të ushtrojë të drejtën e blerjes së kartonit nga klubi zikaltër. Projekti i ri teknik pritet të jetë faktor vendimtar në këtë vendimmarrje.

Në këtë kontekst, ardhja e një trajneri me profil si Vincenzo Italiano mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në planet e klubit. Stili i tij i lojës dhe mënyra e menaxhimit të mesfushës mund të jenë elementë që e favorizojnë ose ndryshojnë të ardhmen e Asllanit në Stamboll.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco