Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Belinda Balluku, gati akuza për korrupsion

Ndeshja me Luksemburgun, Ramadani dhe Mitaj: Këto dy miqësore na shërbejnë për të ardhmen

Ndeshja me Luksemburgun, Ramadani dhe Mitaj: Këto dy miqësore na shërbejnë për të ardhmen

17:01, 04/06/2026

Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet për ndeshjen e dytë miqësore ndaj Luksemburgut. Ekipi i drejtuar nga trajneri Rolando Maran ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”.

Në një prononcim për fshf.org, mesfushori Ylber Ramadani dhe mbrojtësi Mario Mitaj analizuan ndeshjen ndaj Izraelit dhe folën për përgatitjet dhe objektivat e sfidës ndaj Luksemburgut.

Ylber Ramadani u shpreh se këto dy miqësore janë shumë të vlefshme për ndeshjet e shtatorit dhe objektivin për t’u kualifikuar në Kampionatin Europian.

“Ne e kishim përgatitur ndeshjen për të luajtur në mënyrë ofensive, për të sulmuar më shumë kundërshtarin. Mendoj se në pjesën e parë një pjesë të ndeshjes e kemi bërë shumë mirë, ndërsa në pjesën e dytë ishim pak më larg njëri-tjetrit dhe ata shënuan gol. Trajneri, pas ndeshjes, na tha se kjo ndeshje i shërben atij për ndeshjen e ardhshme, që ta përgatisë sa më mirë. Ai e di se çfarë mungon dhe më pas do të praktikojmë gjëra të tjera.

Atmosfera në skuadër është fantastike. Siç e shikoni, jemi të gjithë bashkë me njëri-tjetrin. Është një atmosferë për të cilën unë gjithmonë mezi pres të vij këtu, pasi shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin. Kjo energji pozitive gjithmonë na ka çuar përpara dhe mendoj se ndeshjen tjetër do ta fitojmë.

Po përgatitemi maksimalisht, sepse duam ta fitojmë ndeshjen dhe të shkojmë me pushime me kokën më të qetë. Këto dy ndeshje na shërbejnë shumë, sepse ne duhet të praktikojmë lojën që kërkon trajneri, për të ardhur në shtator me ide të qarta për ndeshjet e radhës.

Unë them gjithmonë se tifozët janë forca jonë dhe pa ta nuk mund t’i arrijmë objektivat që kemi. U bëj thirrje të vijnë sa më shumë për të na përkrahur, pavarësisht se kush luan në formacion apo kush mungon. Edhe ne lojtarët nuk e shikojmë kurrë këtë gjë. Kur thërret Kombëtarja, gjithmonë kemi qenë larg familjes dhe shumë gjërave të tjera, ndaj shpresoj që të vijnë të na mbështesin dhe të jemi së bashku”, – tha Ylber Ramadani.

Ndërkaq, Mario Mitaj e cilësoi miqësoren ndaj Izraelit një test pozitiv, ndërsa theksoi se ndeshja e radhës ndaj Luksemburgut do të shërbejë për të përmirësuar disa aspekte dhe për të marrë një rezultat pozitiv.

“Me thënë të drejtën, për mua ishte një test pozitiv. Bëmë një ndeshje të mirë, me shumë gjëra pozitive. Normalisht, duhet të përmirësojmë edhe gjërat negative. Besoj se thjesht duhet të sistemojmë disa gjëra me trajnerin dhe në të ardhmen do të kemi rezultate më pozitive.

Në aspektin e cilësisë, Luksemburgu nuk është në të njëjtin nivel me Izraelin. Besoj se do të jetë një test i mirë për ne. Në këtë ndeshje mund të provojmë gjëra të reja dhe lojtarë të tjerë, që trajneri t’i vlerësojë. Si gjithmonë, është mirë të luajmë ndeshje miqësore, të shohim në çfarë gjendjeje jemi dhe çfarë kemi për të përmirësuar.

Për mua është gjithmonë krenari të luaj në Shqipëri. Më pëlqen shumë të luaj këtu, sepse tifozët gjithmonë kanë ardhur dhe na kanë mbështetur. Një falënderim për gjithë mbështetjen që na kanë treguar në çdo ndeshje”, – tha Mario Mitaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco