I dëmtuar, i goditur, i pafat dhe shpesh i kritikuar për penalltitë, kështu kanë qenë tri Kupat e Botës të Neymar-it, i cili tani do të ketë një tjetër mundësi për hakmarrje sportive.
Në universin e Neymar-it nuk ka vend për indiferencë. Brazili, vendi i futbollit dhe emocioneve ekstreme, e jeton Botërorin në mënyrë absolute: një sukses të ngre në piedestal, ndërsa një gabim mund të të përndjekë përjetë. Pikërisht në këtë atmosferë, trajneri Carlo Ancelotti ka vendosur t’i besojë sërish Neymar-it për Kupën e Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Në moshën 34-vjeçare, ky Botëror shihet si mundësia e fundit e madhe për Neymar-in që të fitojë trofeun më të rëndësishëm në futboll. Talenti brazilian ka qenë prej vitesh figura kryesore e kombëtares, por në tre Botërorët e mëparshëm ka përjetuar zhgënjime të mëdha fizike dhe psikologjike.
Në vitin 2010, Neymar nuk u grumbullua nga trajneri Dunga për Kupën e Botës në Afrikën e Jugut. Katër vite më vonë, në Botërorin e organizuar në Brazil, ai ishte shpresa më e madhe e vendasve. Neymar shkëlqeu në fazën e grupeve, por gjithçka ndryshoi në çerekfinalen ndaj Kolumbisë.
Në minutën e 88-të, kolumbiani Zúñiga e goditi me gju në shpinë. Neymar mbeti i shtrirë në fushë duke bërtitur nga dhimbjet. Diagnoza ishte tronditëse: thyerje e vertebrës së tretë lumbare, dëmtim që e detyroi të humbte pjesën tjetër të Botërorit.

“Kur u dëmtova në shpinë, Marcelo tentoi të më ndihmonte të ngrihesha, por nuk mundesha. Mundoja të lëvizja këmbët, por nuk kisha forcë”, tregoi Neymari për DAZN.
Më pas ai kujtoi edhe momentin dramatik në infermieri: “Këmbën e kisha të përkulur dhe mjekët ma drejtuan. Ndjeva një goditje elektrike. Nuk mund t’i lëvizja këmbët dhe nisa të qaja në mënyrë të dëshpëruar”.
Mjekët i thanë se për vetëm dy centimetra ai mund të kishte mbetur përgjithmonë në karrige me rrota.
Pa Neymar-in, Brazili pësoi një nga humbjet më të turpshme në histori, duke u mundur 1-7 nga Gjermania në gjysmëfinale.
As Botërori 2018 në Rusi nuk solli lumturi. Me fanellën e Brazili, Neymari u përball me shumë ndërhyrje të ashpra dhe Brazili u eliminua në çerekfinale nga Belgjika.

Në Katar 2022, mallkimi vazhdoi. Neymar pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës që në ndeshjen e parë ndaj Serbisë dhe humbi sfidat e mbetura të fazës së grupeve. Edhe pse u rikthye dhe shënoi ndaj Koresë së Jugut, Brazili u eliminua sërish në çerekfinale, këtë herë nga Kroacia pas penalltive.

Ironikisht, Neymari nuk arriti as ta godiste penalltinë e tij, sepse ishte ruajtur për gjuajtjen e fundit. Pas eliminimit, ai shpërtheu në lot në fushë dhe u ngushëllua nga shokët e skuadrës.
Tani, me Ancelottin në stol, Neymar shpreson që më në fund të thyejë mallkimin e Botërorit dhe të realizojë ëndrrën e madhe të karrierës së tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: