New York Knicks po vazhdojnë marshimin spektakolar në “play-off”-in e NBA-së. Pas përmbysjes dramatike në ndeshjen e parë, skuadra nga New Yorku fitoi edhe sfidën e dytë të finales së Konferencës së Lindjes ndaj Cleveland Cavaliers me rezultatin 109-93, duke kaluar në epërsi 2-0 në seri.
Heroi i mbrëmjes ishte Josh Hart, i cili realizoi 26 pikë, performanca më e mirë ofensive e karrierës së tij në “play-off”. Ish-lojtari i Portlandit mori përsipër skuadrën në momentet më të rëndësishme dhe rezultoi vendimtar në suksesin e Knicks.
Ndeshja nisi më mirë për Cavs, që në periodën e parë vunë në vështirësi mbrojtjen e New Yorkut falë dominimit në kërcime dhe lojës së mirë të Evan Mobley. Ndërkohë, Jalen Brunson hasi vështirësi në fillim, duke realizuar vetëm një gjuajtje nga gjashtë tentime në çerekun e parë.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas pushimit. Knicks hynë me energji të jashtëzakonshme në periodën e tretë dhe shkatërruan kundërshtarin me një seri fantastike 18-0. Hart u bë i pandalshëm nga distanca, ndërsa Brunson riktheu nivelin e tij të zakonshëm, duke ndezur atmosferën në “Madison Square Garden”.
Cavaliers provuan të reagonin në periodën e fundit dhe arritën të afroheshim në vetëm shtatë pikë diferencë, por OG Anunoby dhe Mikal Bridges rikthyen qetësinë për vendasit, të cilët e administruan pa probleme fundin e takimit.
Për Knicks kjo ishte fitorja e nëntë radhazi në këtë “postseason”, ndërsa tani ndodhen vetëm dy suksese larg finales së madhe të NBA-së, ku nuk kanë qenë që nga viti 1999.
Seria tashmë zhvendoset në Cleveland, ku ndeshja e tretë do të zhvillohet të shtunën.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: