Lajmi i fundit

LIVE/ 13 ditë protesta: Rama jepe dorëheqjen! Mijëra në marshimin protestë nëpër rrugët e Tiranës

Cristiano Ronaldo hyn në histori, arrin një rekord unik në futboll

Cristiano Ronaldo hyn në histori, arrin një rekord unik në futboll

08:34, 22/05/2026

Legjenda portugeze, Cristiano Ronaldo, vazhdon të shkruajë histori në futbollin botëror. ‘Ylli’ i Al Nassr ka arritur një tjetër rekord të jashtëzakonshëm, pasi fitoi titullin kampion në Arabinë Saudite dhe kompletoi atë që mediet spanjolle e quajnë një “dopio poker” unik në historinë e futbollit.

Pas disa sezoneve në futbollin saudit dhe pas zhgënjimit në finalen e AFC Champions 2, CR7 më në fund arriti të fitonte Saudi Pro League me Al Nassr-in. Portugezi ishte protagonist absolut edhe në ndeshjen vendimtare, duke realizuar dy gola, një prej tyre nga goditja e dënimit.

Megjithëse këtë sezon nuk u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit, Ronaldo e ka fituar më parë dy herë këtë çmim individual në Arabinë Saudite. Pikërisht këtu qëndron madhështia e rekordit të tij: ai është bërë futbollisti i vetëm në histori që ka fituar titullin kampion dhe ka qenë golashënuesi më i mirë në katër kampionate të ndryshme.

Karriera e jashtëzakonshme e Ronaldos ka kaluar me sukses në Angli, Spanjë, Itali dhe Arabinë Saudite. Me fanellat e Manchester United, Real Madrid, Juventus dhe Al Nassr-it, ai ka fituar trofe kolektivë dhe individualë, duke lënë gjurmë në çdo kampionat ku ka luajtur.

Në total, Ronaldo numëron tashmë tetë tituj kampionë në karrierë, ndërsa objektivat e radhës mbeten edhe më ambiciozë. Sulmuesi portugez ka shënuar 974 gola në karrierë dhe synon të bëhet futbollisti i parë që arrin shifrën e 1000 golave.

“Dua të arrij numrin që të gjithë e dinë dhe jam i sigurt se do ta arrij, për sa kohë nuk do të kem dëmtime”, ka deklaruar Ronaldo.

Statistikat e tij mbeten të frikshme. Vetëm me Realin ai realizoi 451 gola në 438 ndeshje zyrtare, ndërsa ka kaluar shifrën e 100 golave edhe me Manchester Unitedin, Juventusin, Al Nassr-in dhe kombëtaren e Portugalisë.

Tashmë, përveç rekordit të 1000 golave, ëndrra e madhe që mbetet për Ronaldon është triumfi në Kupën e Botës, trofeu i vetëm madhor që mungon në karrierën e tij të jashtëzakonshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco