Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka treguar emocionet e veçanta që përjetoi në momentin kur skuadra londineze fitoi titullin kampion në Premier League pas 22 vitesh pritje.
Barazimi 1-1 i Manchester Cityt ndaj Bournemouth vulosi matematikisht triumfin e “Topçinjve”, duke i dhënë Arsenalit titullin e parë kampion që nga viti 2004.
Arteta zbuloi se nuk e kishte parë fare ndeshjen vendimtare, pasi kishte vendosur të largohej nga qendra stërvitore pak para fillimit të saj.
“Shkova në shtëpi, dola në kopsht dhe fillova të bëja barbekju. Nuk po e shikoja ndeshjen, vetëm dëgjoja zhurma nga televizioni në sfond”, tregoi tekniku spanjoll.
Momenti më emocionues erdhi kur djali i tij i madh vrapoi drejt tij me lot në sy.
“Papritur djali im hapi derën e kopshtit, erdhi me vrap dhe më përqafoi duke më thënë: ‘Jemi kampionë, babi’. Ishte diçka magjike”, u shpreh Arteta.
Trajneri spanjoll e cilësoi triumfin si “një nga ndjesitë më të bukura” të jetës së tij, pas më shumë se gjashtë vitesh në krye të Arsenalit.
Tashmë londinezët synojnë të mbyllin sezonin në mënyrë perfekte, pasi përveç titullit në Premier League, do të luajnë edhe finalen e Ligës së Kampioneve ndaj PSG në Budapest më 30 maj.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: