E ardhmja e Pep Guardiolës vazhdon të jetë temë diskutimi në Angli, sidomos pas sezonit jo shumë bindës të Manchester City-t. Barazimi ndaj Bournemouth-it ka shtuar spekulimet mbi të ardhmen e teknikut spanjoll dhe mundësinë e një aventure të re larg Premier League.
Për këtë situatë ka folur edhe ish-trajneri italian, Fabio Capello, i cili komentoi hipotezën e drejtimit të Italisë nga Guardiola. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, Capello pranoi se spanjolli ka cilësi të jashtëzakonshme, por shtoi se puna në një kombëtare është shumë më ndryshe nga ajo në klub.
“Guardiola është një trajner i madh dhe shumë inteligjent, ndaj mund të përshtatet shpejt. Por te kombëtarja nuk ke mundësi të punosh çdo ditë me lojtarët dhe kjo do të ishte sfida më e madhe”, u shpreh Capello.
Ish-tekniku italian theksoi gjithashtu se Guardiola ka qenë gjithmonë në klube ku drejtuesit i kanë plotësuar kërkesat në merkato. “Ai është mësuar të kërkojë dy apo tre lojtarë dhe klubi t’ia sjellë menjëherë”, deklaroi Capello, duke lënë të kuptohet se realiteti në një kombëtare është krejt tjetër.
Ndërkohë, Guardiola mbetet ende në krye të Manchester City-t, edhe pse në Angli vazhdojnë zërat se Enzo Maresca mund të jetë një nga kandidatët për ta zëvendësuar në të ardhmen.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: