Trajneri spanjoll, Unai Emery vazhdon të shkruajë historinë në Europa League, kompeticion ku konsiderohet një specialist i vërtetë i sukseseve. Me triumfin e fundit të Aston Villa-s në sezonin 2025-26, Emery arriti trofeun e pestë në këtë turne, duke fituar pesë nga gjashtë finalet e luajtura.
Historia e tij e artë nisi me Sevilla-n, ku fitoi tri herë radhazi Europa League në sezonet 2013-14, 2014-15 dhe 2015-16, një arritje që mbetet unike në historinë e kompeticionit. Më pas, ai shkoi pranë një tjetër trofeu me Arsenalin, por e humbi finalen e sezonit 2018-19 përballë Chelsea-t.
Megjithatë, Emery u rikthye sërish në majën e Europës me Villarreal-in në sezonin 2020-21, duke mposhtur Manchester United në finale. Tani, ai e ka përsëritur suksesin edhe me Aston Villën, duke konfirmuar reputacionin si trajneri më dominant në historinë moderne të Europa League.
Aftësia për të menaxhuar ndeshjet me eliminim direkt dhe për të nxjerrë maksimumin nga skuadrat e tij e kanë bërë Unai Emeryn një emër legjendar në këtë kompeticion europian.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: