Pas barazimit 1-1 në derbin mes Tiranës dhe Dinamo City-t, trajneri Orges Shehi analizoi me realizëm paraqitjen e skuadrës së tij, duke pranuar se rezultati mund të kishte qenë edhe më negativ.
“Në këtë situatë ku jemi, mund ta fitonim ndeshjen, por ishim me fat te penallti, edhe mund të humbisnim. Unë mendoj që futbolli është lojë gabimesh, një gabim që ne mund ta shmagnim, e futën kundërshtarin në lojë dhe neve na futi në trysni të madhe”, u shpreh Shehi.
Tekniku bardheblu theksoi ndryshimet taktike nga ndeshjet e mëparshme dhe mënyrën si u përpoq të menaxhonte lojën: “Është e vërtetë që kishim manovër ndryshe nga ndeshja me Egnatian. Nga mënyra si luan kundërshtari, duhej të qarkullonim topin. Në pjesën e parë bëmë disa gabime, por i rregulluam në pjesën e dytë. Kërkonim që të hiqnim një nga qendërmbrojtësit e kundërshtarit, për të sulmuar thellësinë me Xhixhën”.
Ai pranoi se goli i pësuar në fillim të pjesës së dytë ndikoi në planin e lojës: “Në pjesën e dytë e pësuam shpejt golin dhe nuk kishim si të merrnim masa, vetëm 5 minutat e fundit. Futëm 2 sulmues në fund dhe u munduam të merrnim gjithçka nga kjo ndeshje”.
Shehi u ndal edhe te gjendja fizike e skuadrës: “Ne e vuajmë pak anën fizike. Xhixha dhe Tabekou nuk stërviten 100%, por nga rëndësia që kanë e nisin nga fillimi. Alvarez e ka të vështirë të marrë gjendjen fizike”.
Në fund, ai vlerësoi edhe kundërshtarin: “Kundërshtari patjetër që ka meritë, kanë një mënyrë loje që duan ta mbajnë topin në zotërim. Unë mendoj se deri diku ia dolëm, por nuk ishim konkretë në rastet e krijuara. Disa situata mund të zgjidheshin më mirë”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: