Bournemouth-i ka arritur marrëveshje me trajnerin gjerman Marco Rose, i cili pritet të marrë drejtimin e skuadrës nga sezoni i ardhshëm, duke zëvendësuar Andoni Iraola në pankinë.
Sipas raportimeve të Sky Sport në Angli, marrëveshja është arritur tashmë dhe Rose do të jetë trajneri i ri i klubit anglez duke nisur nga vera. Vendimi vjen pasi Iraola konfirmoi pak ditë më parë se do të largohet në fund të kontratës së tij, duke i dhënë fund një periudhe trevjeçare në krye të Bournemouth.
Edhe pse zyrtarizimi nuk është bërë ende, klubi po punon për përfundimin e procedurave administrative dhe sigurimin e lejes së punës për trajnerin gjerman. Paralelisht, po diskutohet edhe për përbërjen e stafit teknik që do ta shoqërojë Rose në këtë aventurë të re.
Marrëveshja i lejon të dy palët të planifikojnë më herët sezonin e ardhshëm, duke siguruar një tranzicion të qetë pas largimit të Iraola-s.
Marco Rose ka qenë pa ekip që nga marsi i vitit 2025, kur u shkarkua nga Leipzig, dhe rikthehet kështu në pankinë me një projekt të ri në Premier League.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: