Ish-trajneri gjerman, Felix Magath, ka deklaruar se Jürgen Klopp do të ishte zgjedhja ideale për të marrë drejtimin e Real Madridit në të ardhmen, duke vlerësuar aftësinë e tij për të menaxhuar një dhomë zhveshjeje me ‘yje’ të mëdhenj.
Magath, i cili në të kaluarën ka drejtuar edhe legjendën e klubit Raúl González gjatë periudhës së tij te Schalke 04, u shpreh në një intervistë se Klopp ka profilin e duhur për të përballuar presionin në Madrid. “Klopp do të ishte njeriu i duhur. Ai ka bërë një punë të shkëlqyer te Liverpooli dhe di si të menaxhojë lojtarë me ndikim të madh. Ai mund ta kontrollojë atë dhomë zhveshjeje”, deklaroi ai.
Sipas gjermanit, puna në një klub si Real Madridi është gjithmonë sfiduese për çdo trajner, pavarësisht emrit dhe përvojës. Ai theksoi se rezultatet e vështira të disa trajnerëve në këtë klub nuk duhet të gjykohen ashpër, pasi presioni është i jashtëzakonshëm.
Magath foli edhe për të kaluarën e tij me Raúl González, duke e vlerësuar si një lojtar të madh dhe me inteligjencë të lartë futbollistike, i cili sipas tij ka potencial të bëhet një trajner i madh në të ardhmen.
Në lidhje me eliminimin e Real Madridit nga Liga e Kampionëve, Magath komentoi edhe episodin e kartonit të kuq ndaj Eduardo Camavinga-s, duke e cilësuar vendimin si shumë të ashpër. Megjithatë, ai theksoi se ky moment nuk ishte vendimtar për fatin e eliminatores, e cila sipas tij u vendos në 180 minuta lojë, ku Bayerni ishte më i mirë dhe meritoi kualifikimin.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: