Guardiola para ‘finales’ me Arsenalin: Nëse humbasim, gjithçka mbaron

Guardiola para ‘finales’ me Arsenalin: Nëse humbasim, gjithçka mbaron

16:25, 17/04/2026

Manchester City do të luajë një nga ndeshjet më vendimtare të sezonit në Premier League, teksa përballet me Arsenalin në një duel direkt që mund të përcaktojë fatin e titullit.

Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola ndodhet gjashtë pikë pas londinezëve, por ka një ndeshje më pak. Një fitore do ta rikthente City-n fuqishëm në garë, duke e afruar virtualisht në të njëjtin nivel me rivalin, ku diferenca e golave mund të bëhet vendimtare.

Në konferencën për shtypin, Guardiola ishte i drejtpërdrejtë: “Sigurisht që është si një finale. Nëse humbasim, ka përfunduar gjithçka”. Megjithatë, ai theksoi se sezoni nuk do të vendoset vetëm nga kjo ndeshje, duke qenë se kanë mbetur edhe disa takime për t’u zhvilluar.

Trajneri spanjoll pranoi cilësitë e Arsenalit, duke e cilësuar si një skuadër shumë të fortë dhe ndër më të mirat në Angli këtë sezon. Ai shtoi se City duhet të përqendrohet maksimalisht, pa u ndikuar nga presioni emocional: “Është vetëm një ndeshje futbolli, duhet ta trajtojmë si të tillë. Nëse humbet përqendrimin, e humbet edhe lojën”.

Guardiola foli edhe për rëndësinë e besimit në këtë fazë të sezonit, duke e konsideruar atë si një faktor kyç për suksesin. “Nëse mund ta blinim besimin në supermarket, do ta bënim menjëherë”, u shpreh ai me ironi.

Me shtatë ndeshje të mbetura në kampionat, gjithçka mbetet e hapur, por për Manchester City-n kjo përballje përbën një mundësi të artë, ndoshta të fundit, për të mbajtur gjallë ëndrrën e titullit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco