Tre vite pas shpërthimit të skandalit “Negreira”, përplasja mes Barcelonës dhe Real Madridit vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes në futbollin spanjoll.
Klubi katalanas po përballet me akuza serioze që lidhen me pagesat ndaj ish-nënkryetarit të Komitetit Teknik të Gjyqtarëve, Jose Maria Enriquez Negreira.
Një nga akuzat kryesore është ajo për korrupsion sportiv, ndërsa procedurat ligjore janë ende në zhvillim dhe nuk ka një vendim përfundimtar.
Së fundmi, sipas një letre të bërë publike nga ish-gjyqtari Xavier Estrada Fernandez dhe e cituar nga “Diario AS”, Reali ka përforcuar qëndrimin e tij, duke akuzuar drejtpërdrejt Barcelonën për këtë vepër.
Në dokument theksohet se sistemi i kontrollit dhe vlerësimit të gjyqtarëve, ku Negreira kishte rol të rëndësishëm, ishte “arbitrar dhe i çorganizuar”.
Sipas kësaj dëshmie, ecuria dhe karriera e gjyqtarëve vareshin nga vendimmarrjet e drejtuesve të Komitetit Teknik, çka mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në garën sportive.
Gjithashtu, në deklaratë evidentohet se provat e mbledhura që nga marsi i vitit 2024, të kombinuara me elemente të reja nga hetimet policore, justifikojnë vazhdimin e procedurës penale në kuadër të procedurës së shkurtuar.
Sipas burimeve, këto elemente mbështesin ekzistencën e një sjelljeje të vazhdueshme që mund të cilësohet si korrupsion sportiv me bazë kriminale.
Nga ana tjetër, Barcelona ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje. Klubi këmbëngul se pagesat ndaj Negreirës kanë qenë për shërbime legjitime, konkretisht për raporte teknike mbi gjyqtarët, të siguruara përmes delegatit të ndeshjeve, Carles Naval.
Ndërsa çështja ka hyrë në vitin e tretë dhe proceset ligjore vazhdojnë prej më shumë se dy vitesh, një vendim përfundimtar nuk duket ende në horizont.
Megjithatë, Real Madridi pritet të mbetet një aktor kyç në këtë proces, duke synuar të njihet si palë e dëmtuar në çështjen kundër rivalit të tij historik.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: