Shqipëria ka përmbyllur përgatitjet për përballjen e rëndësishme ndaj Polonisë, në kuadër të fazës play-off për Kupën e Botës 2026.
Ndeshja do të zhvillohet mbrëmjen e së enjtes në stadiumin “PGE Narodowy”, duke nisur nga ora 20:45.
Kuqezinjtë, të drejtuar nga trajneri Sylvinho, zhvilluan një seancë të plotë stërvitore, duke finalizuar çdo detaj para këtij takimi vendimtar.
Sipas Departamentit të Komunikimit në Federata Shqiptare e Futbollit, të gjithë lojtarët janë në dispozicion dhe gati për sfidën.
Atmosfera në kampin kuqezi raportohet shumë pozitive, me skuadrën që shfaq motivim dhe përqendrim maksimal.
Stafi teknik dhe futbollistët janë të vendosur për të dhënë maksimumin në fushë dhe për të arritur një rezultat pozitiv.
Kjo ndeshje konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt realizimit të ëndrrës për kualifikim në Botëror, ndërsa tifozët presin me padurim një paraqitje dinjitoze nga Kombëtarja.
Sfida ndaj Polonisë pritet të jetë e fortë dhe me ritëm të lartë, ku çdo detaj mund të bëjë diferencën në këtë përballje vendimtare.
Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të luajnë më 31 mars ndeshjen vendimtare për në Botëror me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: