Pep Guardiola ka shprehur vlerësimin e tij për Barcelonën e drejtuar nga Hansi Flick, duke theksuar se skuadra katalanase ofron një futboll tërheqës dhe të bukur për publikun. Në një intervistë për “Catalunya Radio”, trajneri i Manchester City u ndal edhe te figura e Johan Cruyff, në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke lidhur filozofinë e tij me stilin aktual të Barçës.
Guardiola theksoi se çdo herë që ka mundësi, ndjek ndeshjet e Barcelonës me shumë interes, pasi e konsideron një ekip që ofron emocione dhe spektakël. Sipas tij, futbolli nuk është vetëm rezultat, por edhe mënyra se si argëton tifozët.
“Futbolli duhet të jetë një formë kënaqësie, njësoj si të shkosh në kinema apo teatër. Kur shikon një ndeshje, duhet të ndihesh mirë dhe të shijosh çdo moment”, u shpreh tekniku katalanas, duke nënvizuar se skuadra e Flick-ut e përmbush plotësisht këtë ide.
Forma e shkëlqyer e Barcelonës këtë sezon e mbështet këtë vlerësim, pasi katalanasit kryesojnë kampionatin me një diferencë të rëndësishme pikësh ndaj rivalëve. Për Guardiolën, Barcelona është aktualisht mes ekipeve më të forta në Europë, së bashku me Arsenalin dhe Bayernin e Mynihut, duke konfirmuar statusin e saj si një nga skuadrat më spektakolare të momentit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: